21-11-2024

Dy zyrtarë komunalë të Suharekës të akuzuar për korrupsion hyjnë në negociata për marrëveshje me Prokurorinë

Dy zyrtarët komunalë të Suharekës të akuzuarit për korrupsion, Beqir Berisha dhe Berat Kabashi,  të martën, në seancën fillestar janë pajtuar që të hyjnë në negociata për të arritur një marrëveshje me Prokurorinë.

Avokati i të akuzuarit Beqir Berisha, Arben Ramadani, ka propozuar që kjo seancë të shtyhet nëse prokuroria është e gatshme të u jepet mundësia për negocimin mbi pranimin e marrëveshjes.

I akuzuari Berisha ka deklaruar se pajtohet me propozimin e mbrojtësit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Berat Kabashi, avokat Besim Morina, është pajtuar dhe ka mbështetur fjalët e avokatit Ramadani lidhur me negocimin e marrëveshjes.

Po ashtu edhe prokurorja Ervehe Gashi u pajtua që të fillon negocimi mbi marrëveshjen nga ana e të pandehurve.

Për shkak kërkesën për negocimin e marrëveshjes, gjykatësja Raima Elezi ka marrë vendim për shtyrjen e seancës së sotme për një datë tjetër, varësisht nga rezultati negociatave.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Kabashi, kishte bërë ndryshime në paramasat dhe parallogaritë e projektit pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ, që është kryetari i Komunës së Suharekës, ndërsa i akuzuari Berisha, kishte aprovuar këto ndryshime gjatë ekzekutimit të punimeve.

Në aktakuzë thuhet se, në poligonet sportive në fshatrat Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profile metalike të plastikëzuara, ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara. Po ashtu, aty thuhet se në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë, ashtu që në vend të shtrimit të fushës me betonarme, bëjnë shtrimin e fushës sportive me bar natyral.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të këtyre ndryshimeve, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëmtim material në shumën prej 6 mijë e 839 euro e 42 centë, ndërsa operatorit ekonomik “AAB Construction” SHPK me seli në Prishtinë i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumën prej  6 mijë e 839 euro e 42 centë.

Me këto veprime, të akuzuarit e lartcekur ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafi 2, pika 2.1 dhe lidhur me nenin 31 të KP-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.