Prizreni është tronditur në dy javët e fundit, për shkak të tri rasteve të njëpasnjëshme tragjike të vetëvrasjes, mes të cilëve një i ri 24 vjeçar dhe një veteran i luftës së UÇK-së, i cili u dogj në veturë, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Në orët e para të 25 dhjetorit, 55 vjeçari Shefqet Krasniqi, ish-luftëtar i UÇK-së i dha fund jetës, duke ia vënë flakën vetes derisa ndodhej brenda veturës, në rrugën “Kastriotët” në periferi të Prizrenit.
Ai kishte lënë një letër në skajin e rrugës, rreth 15 metra larg veturës. Sipas burimeve nga Policia të portalit “Gazeta e Prizrenit”, aty më shumë ka pasur përshëndetje për familjarë, se sa për motivet që bënë ta ndërmerrte aktin. “Në letër kishte shënime si për shembull e dua shumë këtë e atë familjar, por jo shumë për motivin konkret të rastit”, thanë burimet hetuese nga Policia.
Rasti i dytë i rëndë është ai i 24-vjeçarit, Durim Kastrati, i cili dyshohet se kreu vetëvrasje me kallashnikov, që u gjet në vendin e ngjarjes. Ndonëse rrethanat dhe motivet zyrtare akoma janë të panjohura, në këtë rast përjashtohet lidhshmëria me ndonjë borxh. Burimet e Gazetës së Prizrenit, ndërkaq mësuan se të ndjerit ditë më parë i kishte vdekur një vajzë e sapolindur dhe se ai kishte treguar shenja të forta dhembshurie.
Rasti i tretë i dyshuar i vetëvrasjes, ndodhi më 11 janar në fshatin Manastiricë të Prizrenit, ku Policia në shtëpinë e tij, gjeti trupin e pa jetë të 60 vjeçarit Fait Kuljiç, të shtrirë në dysheme dhe një kabllo të varur lart. Edhe në këtë rast ende nuk dihen motivet, por sipas informacioneve të portalit, njëra ndër pistat e hetimeve është ajo që ka të bëjë me borxhe.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se njësitet përkatëse të Policisë janë duke kryer hetimet rreth motiveve të këtyre rasteve, por aktualisht nuk mund të thuhet asgjë.
Raste të ngjashme të njëpasnjëshme që kanë tronditur jo vetëm familjarët, por edhe opinionin qytetar, ishin edhe ato të majit të vitit 2018, kur dy nxënëse të Shkollës së Mjekësisë në Prizren i dhanë fund jetës, duke u hedhur nga kate të larta. /GazetaePrizrenit.net