Dyshohet për 19 raste të vjedhjeve, ky është 39-vjeçari i arrestuar në Malishevë
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Jeton Krasniqi, 39-vjeçar.
Për arrestimin e tij tashmë ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se 39-vjeçari dyshohet se është përfshirë edhe në 18 raste tjera të vjedhjeve në Malishevë.
I njëjti për të ikur nga duart e organeve të rendit, kishte përdorur identitete dhe dokumente të rreme.
“Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Malishevë, pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, me datën 07.02.2024 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin J. K., i lindur në vitin 1984 shtetas i Republikës së Kosovës mbi dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale të raportuar. I njëjti gjithashtu ka qenë në kërkim policor si i dyshuar edhe për tetëmbëdhjetë raste të tjera të vjedhjeve të kryera në zonën e përgjegjësisë së Stacionit Policor në Malishevë, dhe për t’i ikur kapjes nga policia ka përdorur identitete dhe dokumente të rreme të cilat i janë gjetur dhe sekuestruar në momentin e arrestimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.