05-06-2025

Dyshohet që bizneset me marrëveshje e kanë ngritur çmimin e bukës

Autoriteti i Konkurrencës është duke shqyrtuar mundësinë e marrjes së masave të përkohshme për operatorët ekonomik, që kanë rritur çmimin e bukës, për një periudhë 6 mujore.

Zyrtarë nga ky institucion thonë për Radio Kosovën se ekzistojnë dyshimet që bizneset me marrëveshje i kanë ngritur çmimet. Ndërkohë, qytetarët ankohen që xhepi i tyre po varfërohet çdo ditë nga ngritjet e çmimeve.

Shtrenjtimi i çmimit të rrymës, ka bërë që çmimet pothuajse në të gjithë sektorët, përfshirë edhe ata bazik siç është buka, të rriten. Këtë e pohojnë qytetarë të cilët çdo ditë janë blerës të rregullt, e që në prononcim për Radio Kosovën, thonë se çdo ditë jeta për ta po bëhet më e vështirë.


“Çmimet katastrofë. Sa e ke blerë një bukë përpara? E kam blerë 50 cent, tash e blej 70 cent e as 400 gram nuk i ka. Këto çmime e rëndojnë jetën time, jetoj më pension, i kënaqur nuk jam, krejt fukarallëk, 5 euro është bërë një pjatë pasul me hangër”, është shprehur qytetari.

Si ky qytetarë i lagjes “Arbëria” të Prishtinës, ka edhe shumë të tjerë që ankohen për rritjen e çmimeve kohën e fundit, në veçanti atyre bazike siç është buka.

Duke parë gjendjen në terren, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një analizë për të parë gjendjen në terren në komunat e Kosovës. Duke folur për Radio Kosovën, inspektori i Konkurrencës, Albion Rexhepi thotë se ekziston dyshimi që në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë, furrtarët kanë bërë marrëveshje të jashtëligjshme, duke u bërë kartelë për shtrenjtësim të çmimit të bukës.

“Kartelet janë zbuluar në rastin konkret në Prishtinë p.sh ku është ngritur çmimi i bukës nga 50 cent në 60 cent, byreku nga 1.20 në 1,50 cent, ndërsa në Gjakovë buka ka qenë 60 cent tash është 70 cent. Marrëveshja përveç që ka shkelje të Ligjit të Konkurrencës, ka pasur edhe një lloj inspektimi nga iniciatorë nëpër furra të ndryshme. Pra, vet iniciatorët e kartelit, kanë shkuar në furra të ndryshme të Gjakovës për të kontrolluar se a po zbatohet marrëveshja të cilën e kanë arritur.

Asnjë koment

Comments are closed.