23-11-2024

Dyshohet se ia dogji me qëllim ekskavatorin bashkëfshatarit, ky është i arrestuari në Zhur të Prizrenit

Një person u arrestua të dielën në fshatin Zhur të Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në këtë fshat është arrestuar një 47-vjeçar, i cili po dyshohet se për motive akoma të panjohura, i kishte djegur ekskavatorin një bashkëfshatari.

Sinjali mëson se i dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe bëhet fjalë për T. Badallin. 

I dyshuari është prangosur dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Badalli po dyshohet se fillimisht e kishte paralajmëruar viktimën se do t’ia vë flakën ekskavatorit dhe më pas e kishte djegur.

Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia dhe ka bërë të ditur se hetimi është iniciuar në drejtim të veprës penale “Zjarrvënie”.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se i kishte djegur ekskavatorin viktimës mashkull kosovar. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.