E detyroi viktimën të paguajë borxh prej 21 mijë euro nga bixhozi i paligjshëm, arrestohet 35-vjeçari në Suharekë
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përmes Njësisë Rajonale në Prizren, ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në veprat penale të organizimit të skemave piramidale, bixhozit të paligjshëm dhe detyrimit.
Sipas njoftimit zyrtar, më 11 gusht 2025 policia ka pranuar dëshminë e një ankuesi nga një fshat i Suharekës, i cili ka raportuar se ndodhej nën presion dhe kanosje nga i dyshuari, po ashtu nga një fshat i Suharekës.
“Ankuesi ka deklaruar se para tri vitesh kishte luajtur lojëra bixhozi me shumën prej rreth 9,000 eurosh, por tani i dyshuari i kërkon një shumë prej afërsisht 21,000 eurosh dhe vazhdimisht e detyron për shlyerjen e borxhit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetuesit dyshojnë se i dyshuari ka menaxhuar këto lojëra të fatit përmes adresave elektronike që vepronin nga Zvicra dhe Kosova.

Policia ka sekuestruar një telefon për ekzaminim të mëtejshëm lidhur me organizimin e lojërave të paligjshme.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prezencë të mbrojtësit. Me vendim të prokurorit, A.L., i lindur në vitin 1990, është ndaluar për 48 orë për nevoja të hetimit.
Po ashut, hetimet për rastin po vazhdojnë.