“E fotografoi qytetarin tjetër duke votuar” – Arrestohet një votues, sulmoi zyrtarët policorë në Podujevë
Një incident ka ndodhur në një qendër të votimit në Podujevë, ku për pasojë një person ka përfunduar në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në SHFMU “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, ku një person dyshohet se e ka fotografuar qytetarin tjetër duke votuar, ndërsa më pas njëri prej tyre i ka sulmuar zyrtarët policorë.
Detaje në lidhje më këtë ka dhënë drejtoresha e shkollës “Xheladin Rekaliu”, Arjeta Bashota.
Ajo ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 7:40, ku një qytetar e ka fotografuar qytetarin tjetër duke votuar.
“Rreth orës 07:43 minuta është parë një qytetar duke e fotografuar qytetarin tjetër duke votuar, pastaj është ndaluar nga Policia, mnë ndërkohë është bashkuar edhe qytetari i dytë. Policia ka kërkuar që t’i shohë fotografitë dhe të fshihen, ku personi i dytë ka qenë agresivë ndaj policëve duke i shtyrë, ku ka filluar konfrontimi. Pastaj policët janë detyruar të përdorin sprej dhe ta arrestojnë qytetarin”, ka potencuar Bashota.
Mes tjerash, ajo ka bërë të ditur se dy policët kanë pësuar lëndime.