E mbushi veturën për 10 euro me naftë dhe pagoi me 100 false, pompa në Ferizaj e denoncon klientin
Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në tregun e Kosovës. Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për raste të tilla, kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i kapur të dyshuarit.
Këtë herë një rast i tillë ka ndodhur në një pompë të derivateve në magjistralen Kaçanik – Ferizaj.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një punëtor i pompës ka raportuar në Polici se në orët e para të ditës së djeshme, një klient e ka mbushur veturën 10 euro me derivate dhe e ka bërë pagesën me 100 euro, kartëmonedhë që dyshohet të jetë e falsifikuar.
Në momentin e pagesës, punëtori i pompës nuk e ka vërejtur këtë dhe i ka kthyer të dyshuarit kusurin origjinal.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Kujtojmë se paratë e falsifikuara po qarkullojnë me të madhe në Kosovë. Sipas burimeve të Sinjalit, kualiteti i parave false që po vihen në qarkullim është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet./GazetaSinjali/