E pranojnë fajësinë hajnat e baterive të veturave në Malishevë
Kushtrim Bytyqi, dhe Bedri Bytyqi, të akuzuar për vjedhje kanë pranuar fajësinë, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
I akuzuari i parë, Kushtrim Bytyqi, ka deklaruar se e ndien vetën fajtor për të dy veprat penale për të cilat akuzohet, dhe se i kërkon falje të dëmtuarit, Sefedin Zogaj, duke shtuar se këto veprime nuk i ka kryer nga dëshira, por për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
Edhe i akuzuari i dytë, Bedri Bytyqi, ka deklaruar se e ndien veten fajtor për veprën penale të cilën akuzohet, dhe se veprën penale e ka bërë për shkak të kushteve të vështira ekonomike, duke i premtuar gjykatës që në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm.
Të akuzuarit Bytyqi, kërkuan nga gjykata t’iu shqiptohet një dënim sa më i butë, duke pasur parasysh faktin se e kanë pranuar fajësinë dhe se janë mbajtës të familjeve dhe nuk kanë asnjë burim të të ardhurave financiare.
Prokurorja e çështjes, Dëshira Jusaj, ka deklaruar se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, pasi që sipas saj, ky akt ka mbështetje në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, dhe pranimi është bërë në mënyrë vullnetare nga ana e të akuzuarve.
Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paqarizi, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar pranimin fajësisë nga ana e të akuzuarve, kurse shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 27 shtator 2018, në ora 15:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari i parë, Kushtrim Bytyqi, më 16 prill 2013, në fshatin Bellanicë, Komuna e Malishevës, në orët e mbrëmjes duke shkuar në oborrin e pikës së karburantit “INA Didi” pronë e të dëmtuarit Sylë Hoxha, dhe ka marrë dy bateri duke ikur në drejtim të panjohur. Kurse, bateritë janë sekuestruar dhe kthyer të dëmtuarit.
Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, të akuzuarit, Kushtrim Bytyqi dhe Bedri Bytyqi, më 8 prill 2013, në fshatin Bellanicë, Komuna e Malishevës, janë marrë veshë ndërmjet veti që të hyjnë në punëtorin e të dëmtuarit Sefedin Zogaj, dhe, me forcë kanë hequr mbajtëset nga dritarja e punëtorisë dhe nëpërmjet saj kanë depërtuar brenda dhe kanë vjedhur disa pjesë të vjetra të gjeneratorëve dhe pjesë të vjetra të automjeteve.
Me ç’rast të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 500 euro dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.
Me këto, veprime i akuzuari Kushtrim Bytyqi akuzohet për veprën penale “vjedhje” nga neni 325, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, i akuzuari, Bedri Bytyqi në bashkëkryerje me të akuzuarin Kushtrim Bytyqi kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1, pika 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./betimiperdrejtesi