E rrallë/ Historia e madhe e Kuranit të vogël të Shqipërisë
Për breza të tërë, libri me madhësinë e pullës postare është trashëguar në familjen e tij dhe i ka mbijetuar luftërave dhe një nga “regjimet më pa fe” në botë.
Studiuesit thonë se është një nga Kuranet më të vegjël në botë, libri i shenjtë është mbajtur në një kuti argjendi që është nxirë me kalimin e kohës.
Vetëm dy centimetra i gjerë dhe një centimetër i trashë, libri pothuajse zhduket në pëllëmbën e dorës së Prushit dhe mund të lexohet vetëm me lente zmadhuese që mbahen në kutinë e tij.
Është e vështirë të thuhet se kur ky Kuran është krijuar në bazë të mungesave të analizave shkencore, por sipas Elton Karaj, kërkues në studimet e Kuranit në Universitetin Beder në Tiranë, kopja prej 900 faqesh ka ekzistuar të paktën që nga shekulli i 19-të.
“Ky Kuran është shtypur në një format shumë të vogël, një nga më të vegjlit në botë. Që nga pamja e tij, botimi i tij daton në fund të shekullit të 19-të, është një vepër e jashtëzakonshme, shumë e vlefshme. Është fat që kjo kopje është në Shqipëri”, tha Karaj.
Por madhësia e tij nuk është e vetmja gjë e jashtëzakonshme e Kuranit. Libri është gjithashtu përgjegjës për konvertimin e familjes Prushi nga katolicizëm në islam.
“Stërgjyshërit e mi po gërmonin tokën për një shtëpi të re në rajonin e Gjakovës të Kosovës kur gjetën trupin e një njeriu të varrosur atje”, tha Prushi.
“Kurani u gjet i paprekur mbi zemrën e tij.”
Familja e mori zbulimin si një shenjë hyjnore dhe përqafoi Islamin.
Gjyshi i tij, oficer në ushtrinë e mbretit Zog të Shqipërisë në vitet 1930, dinte arabisht dhe ftonte miqtë në shtëpinë e tij çdo natë për të lexuar vargje.
Vite më vonë, nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, i cili ndaloi plotësisht të gjitha format e fesë dhe i dërgoi të gjithë besimtarët praktikues në burg, libri mbijetoi sepse mund të fshihej lehtë.
“Dikush kishte lajmëruar policinë sekrete se ne kishim një Kuran në shtëpinë tonë, por ishte aq i vogël sa babai im arriti ta fshihte”, tha Prushi.
“Bekimet”
Pas incidentit, babai i Prushit, Skënderi, vendosi t’ua besonte atë miqve në Kosovën fqinje, pasi e kishte kontrabanduar përtej kufirit të fshehur në një kamion plot me qymyr.
Ai mundi ta merrte sërish Kuranin pas luftës në Kosovë në vitin 1999.
Më pas Prushi trashëgoi Kuranin pak para vdekjes së babait të tij në vitin 2012.
“Ky libër i vogël mbart shumë histori, bekime dhe mrekulli. Është shumë i dashur për mua”, tha Prushi.
“Sa herë që e prek, prekem”, tha bashkëshortja e tij Blerina për AFP.
“Kur diçka shkon keq ose kur vajza jonë është e sëmurë, ne ndihemi të qetësuar, e dimë se Kurani do të na mbrojë, është një hajmali e vërtetë”, shtoi ajo.
Familja ka marrë oferta të shumta për ta blerë, përfshirë edhe nga muzetë.
“Nuk e mendoj kurrë ta shes”, tha Prushi. “Ky Kuran i përket familjes sonë dhe do të mbetet gjithmonë me ne”. /abcnews.al