E vrau dhe ia mbuloi trupin me fustan, aktakuzë për krimin që tronditi Prizrenin vitin e kaluar
Mbrëmjen e 6 gushtit të vitit të kaluar Bajram Velija (61 vjeç) e vrau në mënyrë mizore gruan e tij Armendën (48-vjeçare) me të cilën ishin martuar para gati dhjetë viteve. Gjithë këto vite çifti kishte jetuar në Zvicër, deri në verën e vitit që shkoi, kur erdhën për pushime në Kosovë.
Por atë natë, 6 gusht, Bajram Velija pati një zënkë me gruan e tij tashmë të ndjerë Armendën. Zënkë kjo e cila përfundoi me vrasjen e Armendës pikërisht nga burri i saj, Bajrami.
Ky i fundit me 15 plumba shtiu në drejtim të viktimës së tij ku edhe e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit duke filluar nga koka, qafa, gjoksi e deri në këmbë. Vrasja ndodhi në lagjen ‘Jeta e Re’, disa metra larg shtëpisë ku jetonte çifti.
Duke mos i mjaftuar krimi që e kishte kryer i dyshuari, ai nga çanta e viktimës e nxjerr një fustan dhe e mbulon trupin e saj. Pas këtij veprimi, ai e thërret në telefon motrën e së ndjerës duke i thënë “motrën ta vrava”. Pas telefonatës që i kishte bërë motrës së viktimës, Bajrami tre minuta pasi e kryen vrasjen, e thërret në telefon vëllanë e tij duke i thënë “e kam vra Melen” (të ndjerën Armenda Aliu, i dyshuari për vrasjen e quante Mele).
Me gjithë këto deklarata, Prokuroria Themelore e Prizrenit- Departamenti për Krime të Rënda, me datë dy mars ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Bajram Velija.
Gazeta Express e ka siguruar aktakuzën për rastin në fjalë dhe në vazhdim jua sjell deklaratat e të dyshuarit-bashkëshortit për vrasjen e Armendës.
“Unë isha në gjumë. Në një moment erdhi Armenda në shtrat me telefon në dorë dhe telefonin e kishte vendosur mu te fytyra ime, kështu mua më doli gjumi dhe i thashë: “pse po ma drejton telefonin kur mund të flasësh në telefon tjetërkund”, ajo m’u përgjigj: “mall e kam unë me fol me njerëzit e mi”, ka deklaruar para organeve të hetuesisë i dyshuari për vrasjen Armendës, gruas së tij, Bajram Velia.
Sipas aktakuzës, në atë moment Armenda është ngritur dhe ka dalë nga shtëpia.
I dyshuari për vrasjen thotë se e kishte kërkuar në shtëpi, por nuk e kishte gjetur. Andaj e kishte marrë armën (që thotë se e ka marr për shkak të sigurisë ndaj një fqinji, i cili, sipas tij, kishte probleme mendore)”, dhe ishte nisur për ta kërkuar gruan e tij.
Pas disa minutave ai e kishte gjetur Armendën e cila në ato momente po e priste një taksi për të shkuar të vajza e saj, në Prishtinë.
“Oj grua ku po shkon, çka je tu bo ti, nuk të ka hije”, janë fjalët e fundit që Bajrami ia kishte thënë gruas të tij Armendës. Pas këtyre ai e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë 15 herë në trupin e viktimës.
Më vonë pas vrasjes ai e kishte marrë nga çanta e viktimës një fustan me të cilin e kishte mbuluar trupin e saj.
Por çfarë kishte bërë e ndjera Armenda atë natë, para se të vritej nga burri i saj?
Armenda pas zënkës që e kishte pasur me burrin e saj, Bajramin, rreth orës 22:00 e kishte telefonuar njërën nga vajzat, të cilës i kishte thënë se ai e kishte goditur dhe se nuk dëshironte të qëndronte më aty.
Kërkesa e vetme e së ndjerës drejtuar vajzës së saj kishte qenë që t’ia siguronte një taksi me të cilin do të mund të kthehej në Prishtinë.
Vajza e së ndjerës ishte nisur drejt Prizrenit, për ta marrë nënën e saj, por atë nuk arriti ta gjejë të gjallë.
E ndërkohë dëshmitari i parë që e kishte parë të ndjerën të shtrirë në tokë kishte qenë punëtori i taksisë, të cilën e ndjera po e priste për t’u larguar nga aty.
“Pas pranimit të informacionit, jam nisur në drejtim të shkollës fillore, destinacionin e kam pasë me pritë te do gilindera (parmakë) të hekurta. Kur kam arritur aty, kam pritur disa kohë dhe kam bërë disa lëvizje poshtë-lart”.
“Kur kam arritur tek market ‘Ideali’ e kam parë një trup të shtrirë në rrugë, po ashtu e kam parë një person me telefon në dorë”, shpjegon taksisti për momentin kur e kishte parë viktimën të shtrirë në tokë.
E me gjithë këto deklarata, aktakuza e përpiluar nga prokurorja e krimeve të rënda, Ervehe Gashi, i është dorëzuar Gjykatës.
Ndërkohë, familja e viktimës po kërkon dënim maksimal për të dyshuarin për këtë vrasje.
Gjykimi për këtë rast pritet të mbahet së shpejti. /GazetaExpress/