
Viktima u godit me thikë para syve të fëmijës së çiftit
Viktima, 22-vjeçe, ishte masakruar nga partneri i saj teksa përpiqej në mënyrë dëshpëruese të kërkonte ndihmë nga forcat e rendit, duke i rënë ziles së interfonit të komisariatit të Hayange, i cili ndodhet 45 metra larg banesës së saj, prej nga kishte ikur përmes dritares.
Partneri i saj e kishte ndjekur me thikë në rrugë, duke e goditur në sytë e fqinjëve dhe të fëmijës së çiftit, e cila në atë kohë ishte 4-vjeçe.
Një skenë e cilësuar “jashtë normales për nga dhuna” nga prokurori i përgjithshëm, Nicolas Burkel, të premten. “As prania e dëshmitarëve dhe as ajo e vajzës së tij nuk e penguan të vazhdonte aktin”, vijoi ai. “Si në korrida, ai e ka shpuar për ta dobësuar para se t’ia merrte jetën, e më pas ka pështyrë mbi trupin e saj, një goditje shtesë e poshtërsisë!”
Ai kishte kërkuar konfirmimin e dënimit të dhënë në shkallë të parë, duke e cilësuar atë si një “dënim të eliminimit shoqëror”, transmeton Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, Arnaud Blanc, avokati i Liridon Berishës, sipas medias “Ouest-France”, kujtoi se klienti i tij ishte “lindur në vitin 1998, në mes të luftës së Kosovës, aty ku ndodhi masakra më e madhe e asaj lufte, dhe se pas mbërritjes në territorin francez ishte vendosur nën kujdes, pasi ‘brenda familjes mbizotëronte tmerri’”.

Por, femicidi shkaktoi polemikë. Forcat e rendit kishin ndërhyrë rreth dhjetë herë në banesën e çiftit para se të kryhej akti i tmerrshëm. Disa muaj para vrasjes, viktima kishte paraqitur një kallëzim, i cili nuk ishte përcjellë në prokurori.

