23-11-2024

Edhe pak ditë për tatimin në pronë: Çka nëse nuk e paguani?

Nëse deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës nuk e bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë për vitin 2023, ata do të gjobiten. Për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

Qytetarët që paguajnë, ndërkaq, do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.
Ky projektligj parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023. Pra, nëse ai e paguan faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

Vendimi për faljen e tatimit në pronë, sipas projektligjit në fjalë, merret nga Kuvendi Komunal i çdo komune, më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Por, deri te miratimi i tij final, janë edhe disa faza për t’u kaluar, e që nuk pritet të kryhen brenda këtij muaji.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Pagesa e tatimit në pronë në Kosovë mund të bëhet në dy këste.
Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator.
Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi në Kosovë, muajve të fundit, pasi faturat për vitin 2023 janë rritur.
Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës, raporton REL.

Asnjë koment

Comments are closed.