Edhe vetura tjetër luksoze e Burdushit i jepet për shfrytëzim një ministri (Foto)
Një tjetër veturë luksoze e tipit “Audi A7”, që dikur ishte në pronësi në Hysri Peqanit (Burdushit), i është dhënë për shfrytëzim ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Sipas burimeve të Front Online, vetura në fjalë ende nuk është duke u përdorur nga ministri Peci për shkak se ajo duhet të regjistrohet në emër të Ministrisë së Bujqësisë.
“Makina Audi A7 e Burdushit i është dhënë Pecit, por ende nuk e shfrytëzon sepse duhet të regjistrohet në emër të Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë ky burim për Front Online.
Front Online ka kontaktuar direkt ministrin Faton Peci por ai nuk e ka hapur telefonin, dhe as nuk i është përgjigjur mesazheve të shumëta që i kemi dërguar.
E-mail u është dërguar edhe këshilltarëve politikë të ministrit Peci, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Ngjashëm kanë vepruar edhe nga zyra për Informim pranë kësaj Ministrie.
Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar anipse këta të fundit përmes një e-maili kërkuan që pyetjet t’ua adresojmë nëpërmjet zyrës për komunikim në Ministrinë e Drejtësisë.
Front Online ka siguruar fotografitë ekskluzive të veturës me ngjyrë të bardhë “Audi A7”, e cila ka disa ditë që po qëndron e parkuar në garazhet e Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë, të cilën së shpejti do ta marrë në shfrytëzim ministri Peci, pasi të regjistrohet, njejtë siç ka vepruar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, me veturën “Range Rover”, poashtu pronë e konfiskuar e mjekut popullor Hysri Peqani-Burdushi.
Vetura e tipit “Audi A7” është në mesin e tri veturave që Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar ia mori Burdushit.
Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, ishte dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, e të cilin dënim më 30 qershor 2023 e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.
Atij iu konfiskua pasuria në vlerë mbi 2 milionë euro.
Një xhip Range Rover, një Renault Megane RFB dhe një Audi A7 ishin veturat luksoze që shteti ia mori Burdushit.
Veturat tani u morën në shfrytëzim nga dy ministra të Qeverisë “Kurti”.
Front Online ka raportuar se vetura e tipit LAND Range Rover e konfiskuara nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar po shfrytëzohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministria e tij për nevojat e tyre.