21-02-2026

Editorial: A po “punon” Totaj dhe PDK në Prizren për “rritjen” e Albin Kurtit?

Zhvillimet e fundit politike në Prizren, pas skandalit tashmë të njohur të manipulimit me vota, kanë nxitur një valë reagimesh në opinionin publik dhe në media. Raportimet që e renditin Prizrenin ndër komunat me më së shumti parregullsi zgjedhore kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin institucional dhe përgjegjësinë politike në nivel lokal, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhore (KQZ), kandidatët e PDK-së rezultojnë ndër më të prekurit nga humbja e votave pas procesit të rinumërimit. Në mesin e tyre figuron edhe drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj – Gutaj, e renditur e katërta në listë, e cila së fundmi është emëruar për herë të dytë në këtë detyrë nga kryetari Totaj.

Ky fakt ka intensifikuar reagimet publike, duke qenë se sektori i arsimit konsiderohet një ndër fushat më të ndjeshme të administrimit publik dhe kërkon standarde të larta të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies.

Diskursi publik në rrjetet sociale tregon qartë një zhvendosje të perceptimit qytetar: rënie të mbështetjes simbolike (siç janë pëlqimet në postime) dhe rritje të komenteve kritike që kërkojnë masa konkrete dhe vetëpastrim institucional. Kjo klimë mosbesimi thellohet nga perceptimi se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap i dukshëm politik apo administrativ për adresimin e situatës.

Për më tepër, paraqitja publike e kryetarit Totaj në takime zyrtare përkrah drejtoreshës së përmendur është interpretuar nga një pjesë e opinionit si sinjal i mungesës së reflektimit institucional.

Ndonëse edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është shprehur publikisht me tone të ashpra ndaj zhvillimeve në Prizren, duke e cilësuar rastin si “vjedhje substanciale” dhe duke theksuar se përgjegjësia politike duhet të adresohet, përfshirë edhe vet Totajn, nuk janë parë veprime konkrete. Deklaratat mbeten në nivel retorik, ndërsa perceptimi i opinionit publik anon drejt idesë së inercisë politike.

Në këtë kontekst, pyetja që shtrohet është nëse kjo situatë po prodhon efekte të kundërta për vetë PDK-në në Prizren”. Qytetarët, në mungesë të mekanizmave të drejtpërdrejtë ndikimi përtej reagimit publik, priren të artikulojnë pakënaqësinë përmes votës. Përvoja e balotazhit të kaluar lokal dëshmoi se PDK-ja nuk arriti të sigurojë fitore si e vetme në qytet dhe se qeverisja aktuale u mundësua përmes një koalicioni të domosdoshëm me LDK-në dhe subjekte tjera, përfshirë parti të minoriteteve, ku shumica e drejtorive komunale apo 9 nga 13, drejtohen nga partnerët e koalicionit.

Nëse perceptimi për mungesë të llogaridhënies vazhdon, atëherë pasojat politike mund të materializohen në rritjen e mbështetjes për alternativën qeverisëse në nivel qendror, konkretisht për Vetëvendosjen e udhëhequr nga Kurti. Historia politike tregon se boshllëqet e krijuara nga krizat e besimit zakonisht i shërbejnë kundërshtarëve politikë më shumë sesa vetë protagonistëve të krizës.

Në analizë përfundimtare, çështja nuk reduktohet vetëm në përgjegjësinë individuale të një zyrtari apo në një debat partiak. Ajo prek thelbin e kulturës së qeverisjes lokale: transparencën, integritetin dhe raportin e besimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve. Nëse këto elemente nuk adresohen me seriozitet, atëherë dilema e shtruar në titull mund të mos mbetet thjesht retorike, por të shndërrohet në një realitet politik me pasoja afatgjata.

Faturën e saj padyshim do ta paguaj PDK në Prizren. Brenda degës së PDK-së ka zëra që konsiderohen të ndershëm, që vlerësojnë se Totaj nuk shfaq ndonjë shqetësim real për fatin e partisë, sidomos duke qenë në mandatin e dytë, kur nuk perceptohet më si pretendent në garat e ardhshme.

Në këtë kontekst, shumë qytetarë theksojnë se nuk ka më dilema se nga buron rritja e përkrahjes për Kurtin. / Gazeta e Prizrenit 

Lexo edhe:

Editorial: Kryetar apo figurë formale? Pafuqia e Shaqir Totajt, ndryshe nga Muja e Kryeziu 

Asnjë koment

Comments are closed.