31-01-2026

Editorial: Afera e votave në Prizren zbërthen pafuqinë e kryetarit Totaj

Pas skandalit të evidentuar gjatë procesit të rinumërimit të votave, ku Prizreni u raportua si komuna që prin për parregullsi, janë shtuar ndjeshëm reagimet nga mediet dhe qytetarët. E gjithë kjo situatë vjen pas asaj që tashmë po cilësohet si “afera e manipulimit të votave”.

Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen zyrtare të KQZ-së, kandidatët e PDK-së kryesojnë me numrin më të madh të votave të humbura pas rinumërimit. Në mesin e tyre, e katërta në listë me 2.118 vota të humbura është drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, e cila së fundmi është emëruar për herë të dytë në këtë pozitë nga kryetari, Shaqir Totaj.

Ky fakt ka intensifikuar edhe më shumë reagimet publike, duke pasur parasysh se arsimi konsiderohet sektor i ndjeshëm dhe kërkon standard të lartë integriteti institucional.

Hetimet dhe paraburgimet

Nga fundjava e kaluar, Prokuroria e Prizrenit ka ndaluar rreth 120 persona të dyshuar për manipulim të votave. Ky zhvillim u bë lajm edhe në mediet ndërkombëtare”.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 28 persona, nën dyshimin për vepra penale që lidhen me manipulimin e votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Paralelisht, Nysret Bytyqi nga KKZ po hetohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kërkesa për hetime edhe për zgjedhjet lokale

Së fundmi, 40 kandidatë për Asamblenë Komunale, nga të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe përfaqësues të komuniteteve i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, duke kërkuar që hetimet të shtrihen edhe për zgjedhjet lokale të tetorit 2025.

Për pasojë, janë shtuar zërat publikë dhe kërkesat për shkarkime e përgjegjësi institucionale. Nga komentet dhe shkrimet mediale, një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik vlerëson se pas kësaj afere, drejtoresha Veselaj-Gutaj është dashur të japë dorëheqje morale, për shkak të përgjegjësisë që mbart pozita që ajo drejton.

Presioni publik ndaj Totajt

Në këtë kontekst, vëmendja është përqendruar te veprimi konkret i kryetarit Shaqir Totaj, nga i cili priten hapa realë dhe jo vetëm reagime të përgjithshme publike. Në rrjetet sociale, qytetarë të shumtë kanë kërkuar “pastrim të brendshëm institucional dhe partiak”, duke e akuzuar kryetarin për heshtje ose mungesë vendosmërie.

Hamza: “Manipulimi është vjedhje substanciale”

Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është shfaqur i ashpër ndaj bashkëpartiakëve, duke e përmendur Prizrenin si rastin kryesor deri më tani për manipulim votash, të cilin e ka quajtur “vjedhje substanciale”.

Ai ka pranuar se komisionerët zgjedhorë dërgohen nga degët e partisë, duke theksuar se përgjegjësia politike nuk mund të shmanget.

“Edhe Totaj duhet të marrë përgjegjësi. Nëse faktohet vjedhja e votave brenda partisë, si akt moral, kandidatët për deputetë nuk duhet ta pranojnë mandatin. Ti mundesh me i pasë 50 mijë apo 100 mijë vota, por nëse konstatohet dhe faktohet se të janë shtuar votat, nuk mund të arsyetohesh se edhe pa to do të bëheshe deputet”, deklaroi Hamza në Klan Kosova.

Në Prizren, ndërkohë, qytetarët thonë se po e vëzhgojnë nga afër veprimin ose mosveprimin e kryetarit Totaj, duke e konsideruar këtë aferë si test serioz për integritetin institucional dhe politik të udhëheqjes komunale.

Totaj po hesht, duke lënë përshtypjen se po pret që afera të zbehet me kalimin e kohës, ndërsa bilanci i mandatit të tij vazhdon të dëshmojë mungesë lidershipi dhe vendosmërie, pasi për dallim nga paraardhësit e tij, Eqrem Kryeziu e madje edhe nga bashkëpartiaku Ramadan Muja, Totaj nuk ka shkarkuar asnjë drejtor, përveç se është treguar më i fuqishëm ndaj disa “fakirëve” nga partitë e koalicionit; më gjerësisht për këtë, në shkrimin e nesërm./Gazeta e Prizren

Sa drejtor i shkarkuan Kryeziu e Muja? Vazhdon nesër  … 

Asnjë koment

Comments are closed.