Editorial: Kryetar apo figurë formale? Pafuqia e Shaqir Totajt, ndryshe nga Muja e Kryeziu
Vazhdim – pjesa II
Shaqir Totaj, në mandatin e parë si kryetar komune, nuk ka arritur të dëshmojë lidership politik. Përjashtimisht ndonjë drejtoreshe të perceptuar si “të pafuqishme politikisht” nga partitë e vogla në koalicion, ai nuk ka ndërmarrë asnjë vendim serioz për shkarkimin e drejtorëve komunalë, pavarësisht skandaleve apo aktakuzave.
Madje, nuk ka vepruar as në nivelin e paraardhësit të tij partiak, Ramadan Muja, e aq më pak të krahasohet me ish-kryetarin Eqrem Kryeziu ( LDK ), shkruan Gazeta e Prizrenit.

Gjatë mandatit të tij, Kryeziu kishte shkarkuar rreth 14 drejtorë, përfshirë edhe Kryeshefin e Ekzekutivit, Qamil Buzhalen, bashkëveprimtarin e viteve ’90 – periudhë e njohur si koha e mbijetesës nën pushtetin serb. Pikërisht këto veprime konsideroheshin shenjë e lidershipit të Kryeziut.
Shkarkimet si instrument pushteti në mandatin e Mujës
Edhe gjatë qeverisjes së Mujës janë shkarkuar drejtorë me peshë të madhe politike, deri në atë pikë sa qytetarët mezi i besonin lajmit. Në gusht të vitit 2016 u shkarkuan gjashtë (6) drejtorë: Hasan Hasani – drejtor për Shërbime Publike, Nijazi Kryeziu ( Urbanizëm ), Bedri Bytyqi ( Inspektorate ), Nexhat Çoçaj ( Arsim), Elhame Berisha ( PMS ) dhe Zyber Rizanaj ( Shëndetësi ).

Do theksuar se Hasani njëherësh ishte edhe nënkryetar, ndërsa Kryeziu sekretar i degës së PDK-së. Të dy me ndikim të madh politik deri në momentin e shkarkimit. Natyrisht, këto vendime Muja i mori me mbështetjen e atëhershme të liderit, Kadri Veseli. Do theksuar se, ndonëse ky veprim tentohej të prezantohet si dorëheqje e tyre, ai erdhi si reagim ndaj perceptimit qytetar.
Pakënaqësia qytetare dhe ironia publike ndaj Totajt
Për më keq, pafuqia e Shaqir Totajt tashmë është kuptuar qartë edhe nga qytetarët, të cilët ia kanë shprehur hapur pakënaqësitë përmes komenteve publike, madje edhe në profilin e tij personal në rrjete sociale. Me ironi, ata e kanë cilësuar si “kryetar të pafuqishëm”.
Në mungesë të vendimeve të guximshme, reflektimeve dhe shkarkimeve domethënëse, mandati i deritashëm i Totajt po perceptohet gjithnjë e më shumë si formal.
Në këtë kontekst, krahasimi është i pashmangshëm: një Shaqir Totaj i pafuqishëm, larg vendimmarrjes së Ramadan Mujës dhe, siç thotë populli – Eqrem Kryeziut “as te këpucët nuk i vjen”. /Gazeta e Prizrenit /
Lexo edhe:
Editorial: Afera e votave në Prizren zbërthen pafuqinë e kryetarit Totaj

