12-09-2025

Editorial: Pse Shaqir Totaj nuk mori pjesë në debatin televiziv me rivalët tek Jeta Xharra?

Në start të fushatës për zgjedhjet lokale, kur qytetarët e Prizrenit presin qartësi, përballje idesh dhe transparencë nga kandidatët për kryetar komune, kryetari aktual Shaqir Totaj duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër: të shmanget, shkruan Gazeta e Prizrenit?

Sipas burimeve të sigurta, Totaj nuk ka marrë pjesë në njërin prej debateve më të rëndësishme të kësaj fushate – debatin e organizuar nga gazetarja e njohur Jeta Xharra në kuadër të emisionit “Debat Pernime”, që pritet të transmetohet nesër.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Në anën tjetër ai për sonte ka paralajmëruar se do jetë në një debat televiziv veç me drejtuesin e emisionit. Si duket kryetari ka zgjedhur të paraqitet vetëm në disa emisione të përzgjedhura, ku zakonisht mban monolog, pa pasur përballje me rivalët e tij politikë. Madje, dihet tashmë që disa prej këtyre emisioneve janë të sponsorizuara nga vetë kandidatët apo subjektet politike, çka i jep atyre më shumë ngjyrë propagandistike sesa informative.

Është e pakuptueshme se si një kryetar që kërkon edhe një mandat tjetër, nuk e ndjen të nevojshme të ballafaqohet me kandidatët e tjerë, të japë llogari për katër vitet e kaluara dhe të shpalosë vizionin e tij për të ardhmen e qytetit. Shmangia nga debati është shmangie nga përgjegjësia, dhe qytetarët e Prizrenit këtë nuk duhet ta injorojnë.

Në mungesë të Totajt, edhe kandidati i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka refuzuar të marrë pjesë në debatin e Xharrës, sigurisht duke mos e parë të arsyeshme të jetë aty pa rivalin e tij kryesor. Kjo e shton edhe më shumë peshën e mungesës së Totajt dhe e kthen atë në një faktor paralizues të diskutimit publik.

Ndërkohë, sipas informacioneve që vijnë nga terreni, sondazhet e fundit flasin për një rritje të përkrahjes për opozitën, në një kohë kur fushata po intensifikohet dhe votuesit po bëhen më kërkues për llogaridhënie.

Qytetarët e Prizrenit meritojnë më shumë sesa fjalime të kontrolluara dhe intervista të lehta. Ata meritojnë përgjigje, përballje dhe guxim politik./ Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

Grushti që flet më shumë se fjalët: deputeti i VV-së Rexhaj me Nezir Çoçajn – a është një mesazh për Totajn?

Asnjë koment

Comments are closed.