“Eko Regjioni” mohon spekulimet: Kryeshefi Burim Shala nuk është në arrati, ndodhet në Itali për arsye familjare
Ndërmarrja Publike “Eko Regjioni” në Prizren ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur, spekulimeve dhe shkrimeve të pabazuara që po qarkullojnë në disa media, lidhur me pretendimet se Kryeshefi Ekzekutiv i saj ndodhet në arrati.
Përmes një reagimi për opinionin publik, menaxhmenti i ndërmarrjes ka sqaruar se Kryeshefi Ekzekutiv, z. Burim Shala, që nga dita e shtunë ndodhet në Itali, për arsye saktësisht familjare, dhe se kjo vizitë nuk ka asnjë lidhje me shmangien nga përgjegjësia apo drejtësia.
Sipas reagimit, largimi i Shalës nga Kosova është i ditur edhe më herët, ndërsa theksohet se ai pritet të kthehet në vend brenda kësaj jave.
“Z. Shala në asnjë rrethanë nuk i shmanget përgjegjësisë apo drejtësisë”, thuhet në reagimin e “Eko Regjionit”.
Ndërmarrja ka shprehur besimin e saj të plotë në organet e drejtësisë, duke theksuar se ato janë duke e kryer punën e tyre në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në përputhje me ligjin.
Në fund, menaxhmenti i “Eko Regjionit” ka ftuar opinionin publik dhe mediat që të përmbahen nga dezinformatat dhe spekulimet e pabazuara, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
