Eksperti i gjeodezisë thotë se Komuna e Malishevës pa bazë ligjore më 1959, ua kishte marrë pronën paditësve
Eksperti i gjeodezisë Malë Krasniqi, ka thënë se ngastra kadastrale në vendin e quajtur “Kumullar”, në fshatin Drenoc, në sipërfaqe prej 2.00.00 ha, e paditura Komuna e Malishevës ua kishte marrë paditësve, pabazë ligjore.
Këtë e ka thënë eksperti Krasniqi, në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, në çështjen kontestimore, ku paditësit Ismet, Muhamet dhe Nuredin Krasniqi, si dhe Qelebije Mazreku dhe Fahdie Suka, po kërkojnë vërtetimin e pronës nga Komuna e Malishevës.
Eksperti i gjeodezisë Malë Krasniqi, duke elaboruar ekspertizën e tij, ka thënë se prona kontestuese ishte pronë e paraardhësit të paditësve, dhe të njëjtit ishin në posedim të palujtshmërisë.
“Paraardhësve të paditësve iu është marrë palujtshmëria atëherë pabazë ligjore, dhe në të cilën janë vendosur kolonistët serbë. Pas largimit të tyre nga Kosova, përsëri në vitin 1941, deri në vitin 1961, posedues dhe shfrytëzues të kësaj palujtshmërie përsëri kanë qenë paraardhësit e paditësve”, ka thënë eksperti.
Ai tha se në vitet e 60-ta, kur ishin hapur sipërfaqet e reja për tokë pune, shteti këtë palujtshmëri e kishte futur në kompleksin e tij, me arsyetimin se kjo pjesë kishte qenë e kolonistëve serbë.
Sipas tij, gjendjen faktike të kësaj ekspertizë e dëshmon edhe mendimi i ekspertit Vaso Boriqiq, i cili i ishte bashkëngjitur ekspertizës si provë.
Lidhur me këtë ekspertizë, përfaqësuesi i paditësve, avokati Bekim Kryeziu, tha se nuk kishte vërejtje, pasi sipas tij, eksperti kishte paraqitur gjendjen e plotë faktike.
Kurse, përfaqësuesi i Komunës së Malishevës, avokati Mujë Sahitaj, tha se kishte pjesërisht vërejtje, prandaj i njëjti ka kërkuar nga eksperti Krasniqi sqarimin e ekspertizës gjeodezike.
Ndryshe, në këtë seancë është aprovuar propozimi i përfaqësuesit të paditësve, avokatit Kryeziu që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen Brahim dhe Rrahman Krasniqi, me qëllim të vërtetimit me të plotë të gjendjes faktike për pronën kontestuese.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 23 nëntor 2018, në ora 13:00.
Paditësi Ismet Krasniqi me 17 prill 2014, kishte ushtruar padi ndaj Kuvendit Komunal të Malishevës për vërtetim të pronësisë.
Sipas padisë, paditësit Imset, Muhamet dhe Nuredin Krasniqi, si dhe Qelebije Mazreku dhe Fahdie Suka Krasniqi dhe paraardhësi i tyre, deri në vitin 1959, kishin qenë posedues të ngastrës kadastrale, në vendin e quajtur “Kumullar”, Zona Kadastrale Drenoc, në sipërfaqe prej 2.00.00 ha.
Mirëpo, në vitin 1959 kur ishte bërë aero-fotografimi i ngastrave, kjo ngastër kadastrale kishte kaluar në emër të Komunës së Malishevës, pa ndonjë bazë juridike, por në mënyrë të gabuar.
Siç thuhet në padi, paditësit nuk e kishte ditur faktin se kjo pasuri ishte evidentuar në emrin e të paditurës, dhe këtë e kishte kuptuar më vonë, prandaj, i njëjti kishte vendosur që përmes rrugëve gjyqësore të bëjë verifikimin e faktit se kjo pasi ishte pronë e tij.
Paditësit përmes kësaj padie po kërkojnë që të vërtetohet se ata janë pronarë të ngastrës kadastrale në fjalë, dhe të obligohet zyra kadastrale në Malishevë që të bëjë regjistrimin e kësaj palujtshmërie në emër të tyre./betimiperdrejtesi/