Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i dyshuari për “Vrasje në tentativë”, kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi që ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Ai dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe, sipas autoriteteve, i ishte shmangur drejtësisë për një periudhë kohore.
Ekstradimi u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe për gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar nga drejtësia. /IO


