29-11-2024

Elektrotekniku emërohet koordinator për mbikëqyrjen e punës dhe funksionimin e pajisjeve të dializës në Spitalin e Prizrenit

Elektrotekniku është emëruar koordinator për mbikëqyrjen e punës dhe funksionimin e pajisjeve dhe aparaturës në Hemodializë në Spitalin e Prizrenit.

Në repartin e Hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, stafi janë ankuar se një person me profesion jomjekësor është emëruar në pozitën e kryeinfermierit. Për këto ankesa Gazeta Shneta ka siguruar edhe një dokument ku B.S. shihet se është paguar me titullin “Head Nurse” me koeficient 7.2.

Por një gjë të tillë e kanë mohuar menaxhmenti i spitalit. Ata kanë deklaruar se titulli i punës së këtij zyrtari është një lëshim teknik. Sipas shefit të personelit në këtë spital Shefajet Berisha, gabimi teknik është bërë me kodin H33 ndërsa do të duhej të ishte H30 me titull ‘Profesional’.

“Në çështjen e kontratës së punës dhe vendimit të punëtorit B.S. është bërë një lëshim teknik në kodin e pagës H-33 e cila titullohet HEAD NURSE – HOSPITAL AND HEALTH HOUSE, të cilin është dashur të jetë H-30 me titull PROFESIONAL, por në këtë rast të dy kodet kanë vlerën e njejtë, koeficienti është 7.2, paga bazë është 565.51€”, thuhet në sqarimin e Berishës.

Megjithatë në dokumentin që ka siguruar Gazeta Shneta, shihet se ky zyrtar është paguar me 350 Euro për kujdestari. Por Berisha nuk ka dhënë sqarime në pyetjet e gazetës për këtë çështje.

Nga Spitali kanë deklaruar se zyrtari është emëruar koordinator për mbikëqyrjen e punës dhe funksionimin e pajisjeve dhe aparaturës në Hemodializë.

“Ai është punëtor i Hemodializës me detyrat e punës elektroteknik dhe posedon diplomën për shkollimin e kryer. Emërimi është bërë nga Këshilli Drejtues, në mbledhjen e mabjtur më 20.10.2022, duke pasur parasysh nevojën e emërimit të një koordinatori për mbikëqyrjen e  punës dhe funksionimin e pajisjeve dhe aparaturës në Hemodializë për shkak të vëllimit të madh të punëve, pasi që në Hemodializë marrin shërbime mbi 200 pacientë. Ky emërim nuk është i përhershëm, por deri në një vendim tjetër”, thuhet në përgjigjet e spitalit. /Gazeta Shneta/

Asnjë koment

Comments are closed.