Emërtimi Has dhe shtrirja e tij në dy shtetet shqiptare
Ne vitet e para te shekullit te XVII, Hasi njihej edhe me emrin Shullaa që ne latinisht do te thotë “ Vende te thata” e qe për shkak te natyrës seë tij këtë e ka ruajtur edhe në ditët e sotme duke u quajtur Hasi i Thatë.
Studiuesi S. Pulaha e lidh emrin e krahinës me “Nahije e Hasseve” sipas regjistrave kadastrale osman te shekullit XV – XVI që ndaheshin pronat. Këto territore që njiheshin si nahije e Hassejve qenë Rudina, Domeshtici dhe Pashtriku, të cilat me kalimin e kohës si prona në vete u unifikuan duke dhënë emërtimin e sotëm Has.
Të dhëna për banorët e Hasit janë disa, por interes paraqet relacioni i Pjeter Mazrekut, arkipeshkv i Tivarit (1586-1637 ) i cili me 1633 ka shkruar: “ Si të kalohet ky mal e ky lum hyhet në krahinën që gjetiu quhet Shullaa ose Has, ky Hasi është banue nga një numër i pakufij shqiptarësh nënshtetas të turkut”.
Po ky arkipeshkv me poshtë shkruan se Hasi përfshin shumë katunde. “Asht i banuem prej shqiptaresh”.
Territori i Hasit është i banuar prej kohësh të lashta dhe ruhen dëshmi e të dhëna arkeologjike që nga eneoliti (epoka e bakrit) ( 2600-2200) p.e.r. Studimi i kulturës së hershme në mënyrë të vecantë nga gjurmime dhe eksplorimi i vendbanimeve dhe varrezave, është përfituar një material i pasur me përkatësi kohore dhe hapësinore të tilla që hedh dritë mbi formimin e kulturës dhe etnosit ilir.
Për studimin e lashtësisë se banimit të kësaj krahine përveç gjetjeve të rastit në Golaj, Helshan, Fajza e Brrut, janë ndërmarrë edhe ekspedita arkeologjike nga studiues të njohur që kanë ardhur në përfundimin se ky popull i përket Dardanisë së lashtë. Në Has gjenden vendbanime të lashta të fortifikuara, të hapura dhe shpellore.
Qendrat arkeologjike të cilat janë studiuar në Has veçojnë: Vendbanimi i Krumës (Ulez) më 1967, ku u eksploruan tetë Tuma (kodërvarre) nga 24 të tilla dhe u gjet një inventar i pasur në qeramikë, armë, stoli dhe mjete metalike që datojnë në periudhën e parë të shek XII – VIII p.e.re. Në vitin (1970-1972 ) u eksplorua Tuma e Romajës, nekropolet e se cilës dhanë material të pasur arkeologjik të ngjashëm me atë të Krumës, etj.
Në vitin 1987 u eksploruan tre Tuma në Mujaj ku dhanë material te paket, por kronologjikisht mirë të përcaktuar si të periudhës së hekurit kryesisht të shek. VI –V p.e.r. Tuma të tilla të paeksploruara ka me shumice në teritorin e Hasit si Golaj, Perollaj, Helshan, Fajza, Tregtan, Brrut etj. Janë studiuar vendbanime të tilla edhe në Ujz e Rugovë të Hasit.
Vendbanimet shpellore kane përhapje në zonën e lartë të Hasit e tillë është Shpella e Dajçit e studiuar në vitin 1985 -1987 e cila është banuar që në epokën e bronzit, hekurit e deri në antiken e hershme. Vendbanime të tilla ka në Qytetez, në Dobrunë e Lipavec.
Vendbanimet e fortifikuara kanë filluar nga jeta paraqytetare dhe janë vendosur në pika dominuese, duke i ndërtuar me gure llaç e gëlqere. Njiheshin nga sllavet me emrin “Gradina” dhe kodrat ku janë vendosur quheshin Gradishta.
Autorët antike i përmendin me emrin CASTELLUM, të tilla janë vendbanimi i fortifikuar në Gradisht te Ura e Fshejt, fortifikimi në Gradisht të madh të Krumes, në lartesine 928 m., që turqit ju dhanë emrin “Hisarllik” prandaj dhe quhet Kalaja e Hisarit. Fortifikim të tillë kemi edhe në murin e Dajcit në Keshtel etj. Gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës, kemi kala në Kosturr e Pus të Thatë, ndërsa më vonë u ndërtua Kalaja e Lekës (Qafa e Qytetit).
Krahina e Hasit i përket Dardanisë së lashtë. Nga kjo krahinë e kanë prejardhjen: Skënderbeu, Pal Hasi, Andre, Gjon e Lukë, Pjeter Bogdani, pastaj Pjetër Mazrreku, Dervish Salihu e deri te shkrimtarët e artistët e shek.XX e të XXI, si Anton Pashku, Katarina Josipi, etj., të cilët në historinë dhe kulturën shqiptare kanë lënë gjurmë. Mirëpo, sipas burimeve të ndryshme, mendohet se Hasi është edhe vendi i origjinës së Kastriotëve.
Ndarja në bajraqe
Trojet shqiptare, edhe territori i Hasit u nda pas luftërave ballkanike në fillim të shek.XX. Ndarja e trojeve shqiptare u sanksionua në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Këtë e tregojnë dhe faktet historike të depërtuara përmes kanaleve të ndryshme, siç janë kronikat, shënimet kadastrale, dëfteret osmane etj. Si pasojë e kësaj trysnie në Has, gjatë shek.XVI u vendosën malësore nga fiset Kastrat-Morinë, Shale, Bytyç, Gash, Thaç, popullsi e cila u rrit edhe u konsolidua në mënyrë të vazhdueshme. Në fund të shek.XVII dhe në fillim të shek.XVIII Hasi u përfshi në sistemin e bajraqeve.
Në Has kemi krijimin e Bajraqeve: të Bajrakut te Madh që ishte në Vlahen dhe të Bajrakut të Vogël që ishte në Helshan. Bajraku i Madh, pra ai i Vlahnës përfshinte fshatrat nga Përroi i Rosmanit (Golaj) e deri në fshatrat e Drinit te Bardhe, ndërsa Bajraku i Vogël përfshinte fshatrat nga Përroi i Skatinës e deri të Perroi i Rosmanit. Pakënaqësia e madhe e shkaktuar nga pushtimi turk u bënë shkak i shpërthimit të kryengritjeve të shumta dhe pjesëmarrjes aktive të hasjanëve në kryengritje. Në këtë kohë shquhet kryengritja e vitit 1837 Reforma e Tanzimatit, kohë kur Hasi shkëputet përkohësisht nga varësia e administratës turke në Gjakovë./Marrë nga Wikipedia/GazetaePrizrenit.net/