22-05-2025

EMN kërkon shkarkimin apo dorëheqjen e drejtorit komunal me aktakuzë për keqpërdorim detyre

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” përmes një komunikate për media ka kërkuar sot nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që të respektojë zotimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore dhe të ndërmarrë masa konkrete ndaj një drejtori komunal, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në komunikatën e saj, EC thekson se ruajtja e integritetit institucional dhe etika në qeverisje janë themelore për funksionimin demokratik të komunës. Sipas organizatës, mosveprimi në këtë rast përbën shkelje të besimit qytetar dhe dëmton përpjekjet për luftimin e korrupsionit në nivel lokal.

“Premtimet elektorale të Kryetarit të Komunës dhe subjektit të tij politik kanë qenë të qarta – askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e qeverisjes. Çdo qëndrim ndryshe tani është mosrespektim i atyre zotimeve dhe sinjal i dobësimit të transparencës dhe llogaridhënies publike,” thuhet në reagimin e EC Ma Ndryshe.

Organizata kërkon shkarkimin e menjëhershëm apo dorëheqjen e zyrtarit të akuzuar, duke potencuar se vetëm kështu mund të garantohet një proces i drejtë dhe i paanshëm në organet e drejtësisë, pa ndikime politike apo institucionale.

EC thekson se Prizreni meriton një administratë që vepron me përgjegjësi dhe që zbaton standardet për parandalimin e korrupsionit, në përputhje me deklaratën e Planit të Integritetit të komunës, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Asnjë koment

Comments are closed.