Eni Çobani paralajmëron ashpër Violeta Kukajn: Ndalni kërcënimet, do e ktheni pasurinë e marrë
Disa javë më parë, në seancën e ndërmjetësimit të datës 14 Maj në “Shihemi në Gjyq”, u paraqit rasti i motrave nga Kosova, Bahrijes dhe Remzijes. Ndërmjetësja e rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani sqaroi se pronat e konsiderueshme të familjes Retkoceri janë marrë nga kunata e tyre, Violeta e cila ka përfituar nga gjendja mendore e të shoqit, Faikut.
Nëse ju keni një të vërtetë tjetër zonjë nga kjo që është thënë në këtë sallë, unë ju ftoj publikisht të vini, ta thoni, ta dëgjojmë dhe nëse është e vërtetë që ju keni të vërtetën tuaj ndryshe nga ajo e zonjave, ne jemi kaq korrektë sa t’ju themi publikisht “më fal”. Por “më fal” nuk ka nëse ju nuk përballeni. Tani nëse keni zgjedhur profile false, emra të rremë që t’i drejtoheni personit tim dhe motrave tuaja, edhe njëherë po jua them publikisht: unë do të jem pjesëtare në të gjithë seancat gjyqësore që do të ndodhin në Prishtinë. Dosja e motrave dhe ish-kunatave tuaja zonja Violeta, është tek unë. Unë jam përfaqësuesja ligjore me prokurë e zonjës Bahrije, e zonjës Remzije, Sadije dhe Faik Retkoceri, bashkë me zonjën Metije Retkoceri, pra e tërë familja Retkoceri mbrohet nga Eni Çobani.
Më lejoni të falenderoj gjyqtarin e shkallës së parë, Bujar Dobërdolani ku jo një javë më parë ka dhënë një vendim të jashtëzakonshëm, ka bllokuar pasurinë që kjo zonjë ka marrë nëpërmjet atij veprimit para zonjës Sevdije Krasniqi. Pra ajo pronë, zonja Violeta bashkë me zotin Bardhyl, e keni të bllokuar, nuk e shisni dot, nuk e lëvizni dot dhe deri në përfundim të gjykimit do të shikojmë se ku do të shkojë kjo pasuri.
Unë mendova se ne kemi zemër dhe shpirt, por nëse kemi zgjedhur të flasim me atë gjuhë që ju keni zgjedhur të flisni nëpër rrjete sociale unë do ju vë përballë ligjin dhe askënd tjetër. Do përgjigjeni përpara ligjit. Çfarë i keni marrë Faik Retkocerit dhe Metije Retkocerit do ia ktheni deri më një!