“Erdhi më në fund koha që edhe në Shqipëri të shporret përfundimisht MAFIA e ndërtimit!”
Nga Spartak Ngjela:
Erdhi më në fund koha që edhe në Shqipëri të shporret përfundimisht MAFIA e ndërtimit. Këtë gjasë ne shqiptarëve na i solli sot vdekja masive dhe tmerri që shkaktoi te të gjithë shqiptarët tërmeti i 26 nëntorit.
l.
Të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se sjellësja e madhe e fatkeqësisë tragjike që ka pllakosur shqiptarët në këto ditë, nuk është më shumë tërmeti, se sa MAFIA e ndërtimit në Shqipëri.
Tërmeti i datës 26 nëntor zbuloi qartë krimin mafioz të ndërtimit në Shqipëri.
Por, çfarë do të bëjë qeveria shqiptare me kryeministrin e saj Edi Rama i cili i ka përkëdhelur në bashkëpunim për 20 vjet rresht këta mafiozë?
ll.
Tani që doli Prokuroria e Posaçme dhe po del edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, jemi mu në kohë që shqiptarët të shpëtojnë nga një zgjedhë kriminale që i ka marrë frymën. MAFIA e ndërtimit në mbi 25 vjet rresht, ka blerë politikën dhe të gjitha qeveritë, dhe, si pasojë e këtij krimi të madh, kjo erdhi më në fund dhe shkaktoi edhe tragjedinë e madhe makabër të 26 nëntorit 2019.
lll
Tërmeti i datës 26 nëntor e nxori zbuluar korrupsionin shtetror shqiptar.
Mbi 80 për qind të dëmeve dhe 90 për qind të të vdekurve, janë pasojë direkte e shtetit shqiptar të korruptuar si administratë dhe antishqiptar si politikë, në mbi 25 vjet rresht.
Asnjë kontroll për ndërtimet, dhe një shitje e hapur e lejeve të ndërtimit. Ky ka qenë fenomeni.
Si mund të detajohet kjo bëmë makabër mbi 25 vjeçare?
Në plazhin e Durrësit është ndërtuar jashtë sensit shkencor të studimit të tokës dhe të karakterit sizmik. Po kështu, edhe në Durrës edhe në Tiranë, e kudo.
Në plazhin e Durrësit kanë qenë shkencërisht absolutisht të palejueshme ndërtimet e pallateve mbi 5 kate. Kush i krijoi, dhe kush i konstruktori, e, kush i zbatoi projektet e ndërtesave dymbëdhjetë-katëshe? Të gjithë këta janë individë të inkriminuar, që sot duhet të ndiqen penalisht për krimin që kemi përpara.
Kështu është vepruar në të gjithë Shqipërinë. Një masakër urbane e krijuar me ndihmën e kryeministrave dhe kryetarëve të bashkive.
Edhe korrupsioni me legalizimet, është i njëjti fenomen.
Vdekja masive që ndodhi duhet të japë shtysën drejt shpëtimit nga krimi i madh shtetëror kundër shqiptarëve.
lV.
Dhe mos mendoni se mbaron me kaq. Sot duhet të fillojë të zbulohet gjithçka. Dhe këtu duhet të fillojë ndihma e politikës amerikane dhe gjermane.
Tani janë të kapur të gjithë kryeministrat bashkëpunëtorë të MAFIES së ndërtimit. Për këtë jam i sigurt, me siguri profesionale, dhe prandaj që hetimi duhet ta finalizojë.
Kjo do të jetë ndihma më e çmuar që duhet të japë Shtëpia e Bardhë për shqiptarët.
Kryeministrat shqiptarë mbas vitit 1991, si rregull, kanë qenë bashkë, dhe MAFIA e ndërtimit që është dhe 50 përqind e krimit të organizuar, ka qenë klientela direkte e tyre.
Tragjedia aktuale i dha provat. Janë të implikuar të gjithë bashkë si : kryeministra, ministra dhe kryetarë bashkish.
FBI dhe SPAK duhet të shpëtojnë shqiptarët nga kjo zgjedhë e kohës sonë.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni kryeministror shqiptar e ka epiqendrën e vet te MAFIA e ndërtimit. Kjo është aksioma ku duhet të mbështetet së pari hetimi i ngjarjes tragjike aktuale, dhe pastaj, në funksion të reformës në drejtësi, të vijojë hetimi për të gjithë korrupsionin shtetëror dhe krimin e organizuar.
Vetëm fitorja e drejtësisë kundër padrejtësisë që e krijoi këtë gjendje tragjike, do ta zbuste në shpirtin shqiptar këtë dhimbje me përmasa biblike që po kalon sot. /noa.al/