Erdogan shkon për t’i parë nga afër investimet e Turqisë në Shqipëri
Pritja e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan do të zhvillohet në orën 09:25, ku është parashikuar edhe mbërritja e tij në aeroportin “Nënë Tereza”.
Me mbarimin e ceremonisë, Erdogan viziton në Laç një prej shtëpive të rindërtuara pas tërmetit të 21 nëntorit të vitit 2019 dhe aty parashikohet edhe dorëzimi i të gjitha banesave, investim direkt i Turqisë.
Duket se Laçi do ta nderojë presidentin turk, ku një shesh do të emërtohet tashmë “Recep Tayyip Erdogan”.
Vizita në Laç pason direk takimin me kryeministrin Edi Rama, në orën 13:00, ndërsa pas 2 orësh ata do ta nënshkruajnë disa marrëveshje, kryesisht me temë ekonomike dhe do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Në orën 16:00, Erdogan inauguron xhaminë e Et’hem Beut, shkruan A2CNN.
Në fund, presidenti turk do të mbërrijë në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të mbajë edhe fjalën përshëndetëse.
Ndërkaq, Policia e Shtetit, njofton qytetarët se aksi Milot-Vorë-Milot apo rrugët hyrëse dhe dalëse, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 14:00, do të jetë i bllokuar për lëvizjen e kamionëve. Por do të ketë kufizimi edhe për kategoritë e tjera të automjeteve që përdorin rrugë dytësore për të qarkulluar në këtë orar, në këtë zonë.
Kufizime të lëvizjes do të ketë dhe për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në aksin rrugor Vorë-Milot-Vorë, si dhe bllokime të lëvizjes së automjeteve në disa segmente rrugore në Tiranë, në orare të ndryshme.
Ndërkaq, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë hartuar edhe planin e masave për të garantuar sigurinë e vizitës së presidentit turk, ku qindra efektivë policie do të jenë në terren, me uniformë apo civilë, ndërsa kanë mbërritur tashmë në Tiranë edhe pjesëtarë të gardës presidenciale turke.