Konfiguracioni i krahinës së Hasit është i ndarë në aspekte etno-kulturore, “me pasuri kulturore, me interes për kërkime shkencore, me rëndësi jo vetëm krahinore, por edhe kombëtare” . Nuk është e përcaktuar qartë prejardhja e emrit të Krahinës së Hasit. Duke folur për Hasin dhe rëndësinë e tij në fushën e etnokulturës, studiuesi prof. Mark Tirta ,thotë:”Dëshmitë na afrojnë kujtesa popullore, përfituar me anë te eksplorimeve në terren, kjo e ndihmuar edhe nga burimet e shkruara të kohës së pushtimit Osman dhe kohëve para pushtimit, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Ndonëse flet për etimologjinë e fjalës has apoHase, por jo në kuptimin e emërtimit të krahinës së Hasit, studiuesi i fushës së gjuhësisë dhe të albanologjisë, Dr.Eçrem Çabej, ndër të tjera konstaton se fjala hase rrjedh nga turqishtja dhe ka kuptimin e bukës së bardhë të dorës së parë. Ndërkaq, duke e zbërthyer me tutje etimologjinë e kësaj fjale:” hasi nenkupton, Kryengritës, i pabindur, i pashtruar.
Sipas Çabejt një gjë të tillë e pohojnë edhe albanologët Pedersen, por edhe Lotti e Lambertzi, që e nxjerrin me kuptim turk që do të thotë rebel, kryengritës. E njëjta fjalë turke na del edhe bullgarisht asija që do të thotë i pabindur.
Mirëpo emërtimi Has del në pah në shek.XVI, përkatësisht në një dokument të vitit 1570. Shumë kronistë të fillimit të shek.XVII në argumentimin e origjinës së Kastriotëve, Hasin e përmendin me emrin Az apo Ass dhe popullinë si Askol, që në të vërtetë nga mungesa e përdorimit të (h),(s) në latinisht nënkupton emërtimin Has. Ndërkaq, në vitet e para të shek.XVII Hasi njihej edhe me emrin Shullaa që në latinisht do të thotë Vendi i thatë, e që për shkak të natyrës së tij këtë e ka ruajtur edhe në ditët e sotme duke u quajtur Hasi i Thatë.
Në lidhje me Hasin, interes paraqet relacioni i Pjetër Mazrrekut, arqipeshkv i Tivarit(1586-1637). Ky arqipeshkv shkruan se Hasi përfshin shumë katunde të cilat janë të banuara me shqiptarë të besimit mysliman. Në studimet e Çabejt, Pjetër Mazreku njihej, përveç si nje klerik edhe si shkrimtar dhe relator, ai ishte nga fshati Mazrrek i Hasit. Vet hasjanët emrin Has e ndërlidhin me traditat dhe zakonet të kësaj zone, por edhe për besën dhe bujarinë e përhershme që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë tek banorët hasjanë. Dikush e ndërlidh me fjalën vërtetësi, origjinalitet etj., që të shpie te konstatimi apo zbërthimi i kësaj fjale nga ana e Çabejt dhe ndërlidhja e saj me kuptimin e bukës së dorës së parë.
Mikpritja, buka dhe malli i dorës së parë janë disa nga elementet e traditës hasjane e që mund të çojnë te saktësia e etimologjisë së fjalës Has .
Hasi ka qenë një nga krahinat shqiptare ku kanë gjetur strehë e mikpritje luftëtarë, kryengritës të ndryshëm, udhëheqës çetash etj., këtë e tregojnë edhe dhjetëra këngë që flasin për një gjë të tillë, në të cilat në mes tjerash thuhet:”Kush luftoi për shiptari, N’Has ka gjet besë e burrni”. Marrë nga Wikipedia. Referncat janë hequr. /GazetaePrizrenit.net/