Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor më 22 janar të këtij viti në kuadër të një hetimi të përbashkët dhe të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias. Aksioni, i zhvilluar nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka të bëjë me piratërinë televizive. Sipas njoftimit të PSRK-së, aksioni ka pasur të bëjë me verifikimin, identifikimin dhe sekuestrimin e provave relevante.
“Urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që ka çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë”.
“Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicalet P.B”, tha PSRK-ja në njoftim. Tutje u tha se me urdhër të PSRK-së, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Cenim i të drejtave të autorit” dhe “Shpëlarja e parave”.
“Operacioni, i zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali, dhe Rumani, ka mundësuar eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes një sistemi të sofistikuar informatik – IPTV. Ndërsa, në hetim kanë bashkëpunuar edhe Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara. Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe”, tha PSRK-ja në njoftim.