23-11-2024

Fabrikat e Prizrenit përfunduan në markete, e tokë për banim

Shkruan: Qazim Morina 

Tri dekada më parë, Prizreni vlerësohej si një gjigant ekonomik. Fabrikat gumëzhin nga makineria, por edhe qyteti nga qarkullimi i autobusëve duke transportuar punëtorët në tri turne. Kjo komunë deri në vitet ’90-ta në sektorin shoqëror ka pasur rreth 20 mijë të punësuar.

Si qendra e dytë më e madhe në Kosovë, pas Prishtinës, Prizreni ka qenë një zonë bukur e fuqishme ekonomike gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Produktet e disa prej fabrikave të Prizrenit si “Printeks-it” asaj të këpucëve “Cona Sport”, pastaj “Filigran-it”, “Famipës” fabrikës “Progres”, ‘Farmakosit”, dhe të tjerave kanë qenë të njohura jo vetëm në republikat e atëhershme jugosllave, por edhe në disa vende të rajonit.

Rrëfimet e suksesshme për to tashmë i takojnë të kaluarës. Instalimi i masave të dhunshme nga regjimi i Milosheviqit në Kosovë, në vitin 1990 nisi tatëpjetën në punën e tyre. Ndërkaq, pas luftës në Kosovë, askush nuk pati vullnet ta riaktivizojë prodhimin, që për shkak të rrethanave të reja të ekonomisë kishte humbur tregun e dikurshëm.

Referuar shënimeve,  komuna e Prizrenit deri në vitet ’90-ta në sektorin shoqëror ka pasur rreth 20 mijë të punësuar. Siç dihet pjesa më e madhe ishte larguar nga puna nga regjimi serb, ndërsa pas lufte nuk u rikthyen më në vendet e punës,  shkaku i fillimit të procesit të privatizimit.

Privatizimi

Procesi i privatizimit për të cilin shpresohej se mund ta vinte në lëvizje makinerinë e fabrikave, nuk dha ndonjë shenjë shprese, e disa e vlerësuan edhe si proces të dështuar, pasi fabrikat u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe godina afaristo-banesore.

Prizreni nuk arriti ta ruaj as gjigantin “Printeks”,  “Famipën”,  shtypshkronjën “Ramiz Sadiku” , e as Furrën e bukës, të cilat do të mbeten vetëm si referenca suksesi të ekonomisë socialiste.

Sipas Mujë Krasniqit, nga BSPK në Prizren, një analizë e bërë në vitin 2007 përmes një testi në 34 firma shoqërore,  tregoi se në momentin e privatizimit në marrëdhënie pune aktive kanë qenë afër 11 mijë punëtorë,  ndërsa mbi 6 mijë sosh kanë qenë jo aktiv. Shprehur në përqindje del se vetëm 45 për qind e të punëtorëve ka qenë aktiv.

Shndërrimi i tokës bujqësore në ndërtimore

Njohësi i kësaj fushe, Liman Asllani, njëherësh kryetar i Klubit të Afaristëve të Prizrenit, vlerëson se tërë shitja e këtyre fabrikave është bërë më pak se një e dhjeta e vlerës së tokës së tyre, derisa pajisjet që posedonin janë shitur vetëm për hekur, për aq sa edhe janë blerë disa fabrika.

Problemi më i madh i privatizimit  ka të bëjë me faktin se Prizreni, por jo vetëm ky, ka humb dhe për çdo ditë vazhdon ta humb tokën e punueshme, kullosat e pyjet.

Referuar përvojës në Hungari, Slloveni, Kroaci, apo asaj që po ndodh aktualisht në Serbi, Asllani shpreh frikë se në të ardhmen kur pritet të paraqiten investitor serioz,  nuk do të kemi mundësi askujt t’i ofrojmë  as edhe një hektar toke, e lere më sipërfaqe më të mëdha, që zakonisht kërkojnë kompanitë serioze.

Megjithatë, në Prizren ka edhe kompani që kanë filluar të punojnë pas privatizimit dhe se prodhimtaria e tyre fillimisht vlerësohet premtuese. Kompania “ABI” që privatizoi Qumështoren dhe Industrinë e konservimit të pemëve dhe perimeve punon me sukses, duke punësuar qindra punëtorë. Po ashtu ka edhe disa kompani tjera si “Eurofod”, “Liri”, ‘Kamomila’, etj., të cilat janë në rrugë drejt një afarizmi të sukseshëm./GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.