Faj*det: Mori 7 mijë euro hua, pagoi 14 mijë vetëm kamata – arrestohet një rahovecas
Një rast i rëndë i fajdesë është zbuluar në Rahovec, ku një qytetar dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme duke e ngarkuar viktimën me kamata të jashtëzakonshme.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se viktima H.F. (40- vjeçar) është paraqitur më 19.02.2026 në DRP–Gjakovë, ku ka deklaruar se kishte marrë hua në vlerë prej 7 mijë euro për nevoja shëndetësore, ndërsa deri më tani kishte paguar rreth 14 mijë euro vetëm kamata.
Pas pranimit të kallëzimit, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve në Gjakovë, kanë zbatuar masa të veçanta hetimore.
Si rezultat i operacionit, i dyshuari M. I. (62- vjeçar) është arrestuar në flagrancë, në momentin kur po merrte pagesën e kamatës nga viktima.
Me urdhër të Gjykatës është realizuar kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që lidhen me rastin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

