24-11-2024

Fajdet në Rahovec: Krimet e Rënda kryejnë bastisje, këta dy të dyshuarit që u kapën nga Policia

Para dy ditësh një rast i fajdesë, u denoncua nga një 24-vjeçar nga Rahoveci, i cili dyshohet se është detyruar t’i jap 60 mijë euro dy personave me të cilët investuan 36 mijë euro në kripto, para këto që i humbën. Dy të dyshuarit tashmë ndodhen në ndalim policor dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Burim Shalën dhe Artan Thaqin, të cilët kanë rënë në prangat e Policisë gjatë ditës së sotme pas aksionit ku u kryen edhe bastisje.

Gazeta Sinjali mëson se Krimet e Rënda kanë zbarkuar në shtëpitë e të dyshuarve, ku janë kryer kontrolle, me qëllim gjetjen e provave që lidhen me rastin.

Në bazë të informacioneve të para, të dyshuarit dhe viktima kishin bërë investim në para dixhitale rreth 36 mijë euro, të holla këto që i kanë humbur.

Në shenjë revolte, dy të dyshuarit ia kanë hedhur keq viktimës, duke ia kërkuar fillimisht një shumë më të madhe parash për t’ia kthyer, por më pas kanë ndryshuar mendim dhe kanë vendosur që i riu t’ua jap 60 mijë euro.

Policia ka marrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të asaj që ka ndodhur dhe me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre rasti është cilësuar si ‘Fajde’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GS

Asnjë koment

Comments are closed.