21-03-2025

Fajdet: Arrestohet një person në Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim

Prokuroria Themelore në Prizren, ka arrestuar në flagrancë personin me inicialet  Z.V., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, raporton Gazeta e Prizrenit.

Referuar njoftimit, i pandehuri Z.V., që nga data 01.03.2025 deri me datë 19.03.2025 e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit E.H., në atë mënyrë që i dëmtuari me datë 01.03.2025 kishte huazuar nga i pandehuri një shumë të caktuar parash, me afat të kthimit prej tre-katër ditësh.

I dëmtuari duke qenë në gjendje të rëndë financiare, nuk kishte arritur t’ia kthejë shumën e parave, duke kërkuar nga i pandehuri edhe dy ditë shtesë për kthimin e borxhit, ku i dëmtuari pas një jave ia kthen të hollat duke ia dhënë të dëmtuarit shumën e caktuar në emër të kamatës.

Pastaj, i pandehuri pas një jave, në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale, i bënë presione të vazhdueshme të dëmtuarit, duke e kanosur me qëllim të detyrimit të të dëmtuarit që të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke i kërkuar shuma të tjera të parave në emër të kamatës. I pandehuri me datë 20.03.2025 takohet me të dëmtuarin nga i cili pranon shumën e caktuar në emër të kamatës, dhe arrestohet në flagrancë nga policia.

Me këto veprime, i pandehuri i lartëcekur, ka kryer veprat penale: “Fajdeja” dhe “Detyrimi” sipas KPRK-së.

“Për të pandehurin e arrestuar, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.