Falsifikim dokumentesh në Prizren – ndalohen dy persona pasi tentuan pajisje të kundërligjshme me dokumente
Një rast serioz i falsifikimit të dokumenteve dhe vjedhjes së identitetit është zbuluar dje në Prizren, ku dy persona kanë përfunduar në mbajtje policore për 48 orë.
Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 14:30, në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prizren, ku, sipas informatave që ka siguruar Sinjali, dy persona janë paraqitur në cilësinë e dëshmitarëve, me qëllim që t’i mundësojnë një personi të tretë pajisjen e kundërligjshme me dokumente identifikuese.
Burime nga hetuesia bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Z. Artinovic, rreth 59-vjeçare dhe H. Berisha, rreth 58-vjeçare, të cilët janë shoqëruar nga policia në zyrat e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren.
Gjatë veprimeve hetimore dhe pas sigurimit të dëshmive materiale e personale, është konstatuar se dokumentet e paraqitura nga të dyshuarit ishin qartazi të falsifikuara.
Në cilësinë e provave materiale, policia ka sekuestruar: dy letërnjoftime të Republikës së Kosovës, të dyshuara si të falsifikuara, një letërnjoftim të Republikës së Kroacisë, po ashtu të dyshuar si të falsifikuar, një telefon mobil.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të mbrojtësve të tyre ligjorë dhe, me aktvendim të Prokurorit kompetent, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa pritet që Prokuroria të ndërmarrë veprime të mëtejme lidhur me veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
