Fatlumes nga Prizreni, po ia shpëton jetën donatori “anonim”
Sadik Shala, me vendbanim në Prizren, tani e sa kohë është nën stresin e madh për shërimin e vajzës së tij, Fatlume Shala, e cila ka dy vjet që kur është diagnostikuar nga një sëmundje e rëndë e mëlçisë. Që nga atëherë, Fatlumja ende nuk është shëruar, tregon për “Kosova Sot” Sadik Shala.
Ai ka një falënderim për shokët, miqtë e dashamirët nga Prizreni e tërë Kosova, që në forma të ndryshme kanë ndihmuar për shërimin e vajzës. Ai tregon se tashmë kanë hapur edhe numrin e xhirollogarisë në TEB bankë, por falë gatishmërisë së një donatori që nuk dëshiron ta bëjë publik emrin e tij vajza e tij pret të kthehet shëndosh e mirë, sepse ka pasur transplant shumë të suksesshëm nga vëllai i saj, Fatlumi, gjegjësisht i biri i Sadikut.
Familja e Fatlumes falënderon qytetarët për shërimin e saj, e veçanërisht donatorin, i cili për të gjitha shërbimet i ka paguar vetë paratë, pa e bërë publik emrin, edhe pse ka dhuruar një shumë të madhe. Mjekët në QKUK kishin konstatuar se Fatlumes duhet t’i bëhet transplantimi i mëlçisë, gjë që nuk bëhej në Kosovë. E për ta shëruar vajzën Shala vendosi ta dërgojë në Turqi. Ai thotë se për një kohë të shkurtër gjendja shëndetësore e vajzës së tij ishte përmirësuar, ndonëse transplantimi nuk i ishte bërë.
Pasi ishte kthyer Fatlumja nga Turqia nuk kishte ndonjë problem dhe kishte filluar të shkonte në shkollë, deri në janar të këtij viti, kur simptomat e sëmundjes iu shfaqën përsëri. Nga plogështia Fatlumja kohët e fundit është detyruar t’i ndërpresë mësimet. Për shërimin e Fatlumes u përkujdes donatori dhe tregoi gatishmëri i vëllai për transplantimin e mëlçisë. Për shkak të kushteve financiare, Fatlumja kishte nevojë për ndihmën e donatorit, por edhe për shërim jashtë vendit. Numri kontaktues i familjes: 045 648 857.
Qeveria nuk i doli në ndihmë
Familja e Fatlumes tregon se po ndihen të lumtur për shërimin e bijës së tyre. Shala falënderon secilin prizrenas që nga kafshata e tyre kanë ndarë për shërimin e vajzës së tij. Por ai ka një ankesë shumë të madhe tek Qeveria e Kosovës, e cila nuk arriti aspak ta ndihmojë këtë familje. Shala pohon se populli prizrenas e veçanërisht donatori nuk kursyen para për shërimin e vajzës, e cila po shërohet plotësisht. Ai thotë se i biri dha gjysmën e mëlçisë për ta shëruar motrën e saj. Sadik Shala falënderon gazetën “Kosova Sot” që ka shkruar dhe ka alarmuar për gjendjen e Fatlumes, ku pastaj u gjet donatori, por edhe ndihmuan bamirës të tjerë.