25-11-2024

Faturat e larta, KMDLNj: Paditeni KESCO-n, ZRrE-në dhe KEDS-in, kërkoni kompensim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar nga qytetarët që konsiderojnë se janë plaçkitur me faturat e larta të energjisë elektrike për muajin dhjetor, të ushtrojnë padi në gjykatat kompetente dhe të kërkojnë kompensim nga KESCO, ZRrE dhe KEDS.

“Muajin e kaluar faturat për rrymën e pa-shpenzuar ishin të kripura; deri 400 për qind më të larta se të muajit paraprak. KMDLNj ka rekomanduar qytetarët e Kosovës të ankohen dhe të paguajnë vetëm shumën e muajit paraprak. Para sporteleve të KEDS janë krijuar radhë të gjata të qytetarëve që po ankohen për këto fatura jonormale dhe pritjet janë disa orëshe”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ.

“Reagimet e KEDS, KES/CO janë reagime të hajdutëve të zënë në vepër ndërsa reagimi i Qeverisë së Kosovës është oportunist dhe i pamoralshëm. ZRrE do të duhej ta kryente mandatin e rregullatorit e jo të vihet në anën e operatorit keqbërës që keqpërdorë buxhetin e qytetarëve të Kosovës në baza etnike dhe politike, që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Për këtë kemi një vendim të Gjykatës kompetente që ka urdhëruar zhdëmtimin e konsumatorëve për mjetet që janë siguruar përmes fryerjeve të faturave me qëllim të shlyerjes së borxheve për serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës”.

KMDLNj rekomandon qytetarët e Kosovës të këmbëngulin në realizimit e të drejtave të tyre që t’u kthehen mjetet për aq kohë sa janë dëmtuar duke kërkuar edhe përgjegjësi ligjore për ata që e kanë planifikuar, e kanë lejuar dhe e kanë zbatuar këtë keqpërdorim. Adresa e përgjegjësisë është ZRrE.

Sipas KMDLNj, “qytetarët duhet të kërkojnë rishikimin e faturave të fundit duke mos u mjaftuar vetëm me kundërshtim verbal. Qytetarët duhet të organizohen në mbrojtje të drejtave të tyre duke protestuar deri në realizim të këtyre të drejtave dhe të kërkojnë përgjegjësi për shpërdoruesit. Për shkak të përsëritjes të keqpërdorimeve qytetarët duhet të kërkojnë shkëputjen e kontratës me KEDS ashtu si ka ndodhur në vende të tjera ku qeveritë kanë mbrojtur interesin e qytetarëve përkatësisht të konsumatorëve”.

“Ky mbifaturim i muajit të fundit nuk duhet të tolerohet dhe të kalojë pa një përgjigje të vendosur të qytetarëve aq më parë që Kosova është i vetmi vend në rajon por edhe më gjerë ku faturimi i rrymës nuk bëhet në bazë të asaj se sa keni shpenzuar por se cilit komunitet etnik i takoni ku shqiptarët, si shumicë absolute, diskriminohen në mënyrë dhe përmasa absolute. E për çfarë të drejta kushtetuese dhe barazi para ligjit mund të flasim?!”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, faturat e larta për energjinë e shpenzuar elektrike gjatë muajit dhjetor, kanë nxitur pakënqaësi dhe reagime të shumta të qytetarëve, por edhe të subjekteve politike.

Kompania Kosovare e Distribucionit të Energjisë (KESCO) ka sqaruar konsumatorët se tarifat përfundimtare të energjisë elektrike nuk kanë ndryshuar.

Ndërkaq, tarifat bazë janë rishikuar me një rritje prej rreth 15% në krahasim me periudhën 2022-2023, si pasojë e një vendimi të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të marrë më 1 prill 2023.

Asnjë koment

Comments are closed.