26-11-2024

Ferizajasi bën biznes me kuaj, i shet për suxhuk dhe për t’i ushqyer qentë

Në tregjet e kafshëve në Kosovë, një qytetar po pretendon se po shitet mish i kalit, i cili më pas po përpunohet për suxhuk. Ai ka treguar se ka shitur edhe vetë kuaj të tillë, të cilët thotë se janë blerë më shumë nga mishtoret. Ferizajasi që po bën reklamë edhe në FB, thotë se i shet edhe kuajt e sëmurë për t’i ushqyer qentë.

A.Z. po pretendon se kosovarët po hanë suxhuk i cili përveç mishit të lopës, po përbëhet edhe nga ai i kalit.

Ai ka thënë për Gazetën Express se ka kohë që në tregjet e kafshëve nëpër Kosovë, kuajt shiten për mish dhe për punë.

“Tregtarët që janë ma të moçëm punojnë me shumicë. Unë për veti nuk kam shitë bash për suxhuk, por ne i shesim në treg, me thënë ashiqare nuk shkojnë tinëz asnjë, ne i qesim në treg në Ferizaj, te vaga shkojnë i matin ka 70 centë me kile, në treg të Vitisë e në përgjithësi në krejt Kosovën. Në krejt tregjet e Kosovës, ku shiten kuajt, shiten edhe të punës edhe të mishit”, ka thënë ai.

A.Z. po thotë se kuajt që shiten nëpër tregjet e Kosovës vijnë ilegalisht nga Maqedonia. Ai ka treguar se si shiten me shumicë kuajt.

Ndërkaq pretendon se ka edhe kuaj të sëmurë e që po përdoren për mish suxhuku.

“Ky në foto është për qen, por kryesisht shkojnë kuajt që janë të sëmurë, kanë një këmbë të vrarë ose qysh i themi ne “teknefez” që i ka mushkëritë e prishta. Po tash aty shiten ndoshta 5 të mirë e 10 të këqinj, edhe kësi që veç ecin pak”, deklaron ai.

Ai ka treguar rrugën të cilën kuajt bëjnë derisa vijnë në Kosovë. Derisa pretendon se ka të tillë që dërgohen në Serbi për t’u prerë, e nga atje në Kosovë vijnë si mish i bluar.

“Këta nuk kontrollohen, hyjnë prej Shkupit shumica e këtyre kuajve, s’ka kurrfarë kontrolle, krejt shkojnë në të zezë. Prej Maqedonisë hyjnë në Tanishec, prej aty në Mjak, prej aty në Kabash e tani në Viti, prej Vitisë shpërndahen nëpër Prishtinë e kahmos. E kalojnë kufirin se shkojnë për Serbi. Në Serbi prehen dhe bëhet mish i bluar që vjen në Kosovë”, ka treguar A.Z.

A.Z. pretendon se mishtoret të cilat prodhojnë suxhuk, e bëjnë atë me 50 për qind të mishit të lopës dhe 50 për qind të mishit të kalit.

“I blejnë ma shumë mishtoret, se këta e përzijnë mishin, e bëjnë 50 për qind të lopës, 50 për qind të kalit. E bëjnë mish të bluar, e marojnë suxhuk, sallama e lloj-lloj mishi”, thotë A.Z.

Ky tregtar nga Ferizaj ka thënë se shet kuaj edhe për t’i ushqyer qentë. Një të tillë e kishte publikuar në Fb, ku njoftonte se e shet për t’i ushqyer kafshët mishngrënëse.

Ndërkaq, mishi i kalit lejohet të konsumohet vetëm se duhet të kontrollohet shëndeti i kafshës para se të theret.

Asnjë koment

Comments are closed.