03-12-2024

Festa e Bajramit në plazh, ndryshon tradita për pushuesit nga Kosova

Festa e Kurban Bajramit i ka gjetur plazhet e Durrësit plot me pushues.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë festat fetare nuk janë bërë shkak që operatorët turistikë të ankohen për mungesën e pushuesve nga Kosova në plazhe.

Tradita po ndryshon. Një drekë në plazh apo restorantet e shumta përgjatë tij, po zëvendëson çdo vit e më shumë therjen e kurbanit dhe drekat në shtëpi. Po ndonëse në plazh dreka nuk e ka aromën e shtëpisë dhe vizitat te të afërmit e miqtë nuk bëhen, kënaqësia e të festuarit nuk humbet.

Ka dhe nga ata që e kanë përgatitur më parë drekën e më pas do ta shijojnë pasditen e vonë, kur të kthehen nga plazhi në dhomën e marrë me qira. Përparësi merr plazhi, festa kthehet në një rit që nuk duhet humbur për të mbledhur familjen e për t’ju lutur Zotit për mbarësi.

Tradita e të festuarit në shtëpi dhe vizitat te të afërmit, që vlerësohen edhe si një mundësi e artë për të ruajtur lidhjet dhe forcuar ato në një kohë kur emigracioni ka prekur thuajse çdo familje dhe raportet e gjakut, ka filluar të humbasë.

Po vetëm pjesërisht, në xhaminë e Plazhit therja e kurbanit dhe shpërndarja e tij ka mbledhur plot njerëz që presin të shtrojnë në tryezën e tyre mishin e kurbanit.

Në plazh është gatuar edhe sheqerparja tradicionale për t’u shijuar menjëherë pas kthimit nga falja e namazit të Kurban Bajramit, por edhe pas drekës së kësaj feste të sakrificës njerëzore dhe dashurisë ndaj Zotit./tch

Asnjë koment

Comments are closed.