Filigranistët e rinj të Prizrenit në hap për rikthimin e zejes së moçme
Mjeshtërit shumëvjeçarë të zejes së filigranit në Prizren po bëjnë përpjekje që ky artizanat të mos shuhet. Njohuritë e tyre në këtë zeje tradicionale të qytetit të vjetër përgjatë tetë javëve i kanë përcjellë tek 30 pjesëmarrës në dy punëtori të filigranit. Prej tyre, 5 janë veçuar si më të dalluarit dhe ata do të vazhdojnë punën praktike pranë shoqatës “Filigrani” për një periudhë 6-mujore.
Faik Bamja nga shoqata “Filigrani”, ka thënë se në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, Komunën e Prizrenit dhe UNDP-në është arritur aftësimi tetë-javor i 30 pjesëmarrësve në dy punëtori për zejen e filigranit.
Sipas historianit Abib Ahmeti, të dhënat e para për argjendarët e këtij qyteti ndeshen në shekullin XIII. Mirëpo, shënime më të strukturuara, sipas tij, hasen në shekullin XVI, meqë në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit bëhet e ditur se kjo zeje në Prizren në vitin 1591 ushtrohej nga katër zejtarë të krishterë dhe një mysliman.
Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë. Përveç këtyre kishte edhe 15 punishte në të cilat zbukuroheshin armët dhe 7 të tjera në të cilat zbukuroheshin ekskluzivisht gërshërët dhe thikat”, ka shkruar Ahmeti në librin e tij “Theranda-Prizreni ndër shekuj”./koha.net