22-11-2024

Filloi dezinsektimit i zonave endemike në Malishevë

Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), sot në territorin e Komunës së Malishevës, ka filluar fushata e dezinsektimit të zonave endemike, kundër rriqrave, të cilët janë bartës të virusit të EHKK. Dezinsektimi i zonave endemike, bëhet në bashkërendim të aktiviteteve në mes të Komunës së Malishevës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike e ministrive përgjegjëse, ndërsa financohet nga Ministria e Bujqësisë.

Në fillimin e dezinsektimit, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me drejtorin e shëndetësisë, Liridon Hoti dhe drejtorin për mbrojtje dhe shpëtim, Valon Gashi, të cilët i kanë falënderuar të gjithë stafin e angazhuar në këtë fushatë të dezinsektimit, si dhe të gjithë stafin tjetër, përfshi atë shëndetësorë dhe stafin komunal, të cilët çdo vit janë të angazhuar në luftimin e EHKK.

 

“Dezinsektimi që ju sot po bëni, do të thotë shumë për të gjithë banorët, pasi zvogëlon mundësinë e thumbimeve nga rriqrat dhe me këtë zvogëlon edhe mundësinë e infektimit nga virusi i etheve hemorragjike krime kongo, i cili përcillet përmes rriqrave. Puna e juaj dhe e të gjithë të tjerëve që janë të angazhuar në luftimin e këtij virusi, është jetike për banorët të cilët potencialisht mund të preken nga ky virus”, tha kryetari, me rastin e fillimit të fushatës së dezinsektimit. Begaj, i cili po ashtu i ka falënderuar edhe ISKHP-në për përkushtimin e tyre në luftimin dhe parandalimin e EHKK, si dhe të gjitha ministritë që janë të kyçura në realizimin e strategjisë për luftimin he parandalimin e EHKK.

 

Përndryshe, Komuna e Malishevës, si pasojë e prezencës së virusit të etheve hemorragjike krime kongo, që nga paslufta, ka qenë komuna më e prekur, ku si pasojë, deri në vitin 2013, kanë humbur jetën 18 qytetarë. Mirëpo, falë përkushtimit të vazhdueshëm të të gjitha institucioneve, në luftimin e këtij virusi, tani jemi në vitin shtatë që nuk kemi raste të vdekjeve apo raste me infeksion nga EHKK.

Asnjë koment

Comments are closed.