26-11-2024

Fillojnë pagesat për komisionerët e angazhuar në zgjedhjet e 14 shkurtit

Kanë filluar pagesat për komisionerët e angazhuar në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, shkruan Front Online.

Numri i tyre është jo i pakët, janë gjithsej 22 mijë e 500 persona të cilët do t’i marrin këto pagesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Këtë e ka konfirmuar për Front Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Para disa ditësh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për në Ministrinë e Financave pothuajse të gjitha listat me stafin e angazhuar në ditën e zgjedhjeve. Bëhet fjalë për rreth 22 mijë e 500 persona që janë angazhuar në të gjitha komunat e Kosovës”, ka thënë Elezi për Front Online.

Elezi ka thënë se kanë marrë konfirmim nga Ministria e Financave që këto pagesa tashmë kanë filluar të dalin në llogaritë bankare të personave të angazhuar si komisionarë.

“Sipas konfirmimeve që kemi nga Ministria e Financave, tashmë kanë filluar me transferimin e mjeteve për stafin e angazhuar sipas listave që u kemi dërguar”, ka thënë ai.

Në të kaluarën ka pasur ankesa për mos pagesa nga KQZ-ja, por që sipas zëdhënësit të këtij institucioni ata që bëjnë gabime në të dhënat bankare, mund të drejtohen në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për të përmirësuar të dhënat.

“Ngjashëm si në të kaluarën mund të ketë raste kur mjetet nuk i transferohen personave të caktuar për shkak të gabimeve në numrat e llogarisë bankare apo se nuk kanë shënuar llogarinë personale bankare. Në rastet e tilla, palët duhet të paraqiten te Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, në komunën ku kanë qenë të angazhuar për t’i përmirësuar të dhënat”, ka thënë Elezi pwr Front Online.

Kurse pagesat pwr stafin e angazhuar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), do të kryhen sapo KQZ t’i përcjellë listat në Ministri të Financave.

“Ndërsa lidhur me pagesat për stafin e angazhuar në QNR, këto lista do t’i përcjellim sapo të jenë të gatshme për procedim”, ka shtuar zëdhënësi Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar me 13 mars 2021 rezultatin zgjedhorë të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.

Asnjë koment

Comments are closed.