Fillojnë përgatitjet për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren
Kanë nisur përgatitjet për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, e cila do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga 3 orë në vetëm 30 minuta.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë ditur se janë bërë përgatitjet për fillimin e ndërtimit të rrugës nga Tetova deri te vendi ku do të hapet tuneli në drejtim të Prizrenit.
Ai u shpreh se janë ndarë mjete edhe për projektin e tunelit, por pa saktësuar se sa.
Drejtor i Institutit për zhvillim ekonomik dhe politik në Maqedoninë e Veriut, Nexhat Bexheti, vlerëson se ndërtimi i rrugës Tetovë -Prizren do të shërbejë zhvillimit ekonomik të dyja vendeve.
“Kjo rrugë në të ardhmen do të jetë një sukses domethënës i lidhjeve ekonomike,lëvizjes së njerëzve ,ideve dhe mallrave. Do të bëhet më lehtë këmbimi i mallrave i prodhuesve tetovar dhe të Gostivarit për tregun e Kosovës, po ashtu edhe i Shqipërisë. Nga kjo rrugë do të përfitoj edhe turizmi i Shqipërisë,pasi do të shkurtohet rruga” ka thënë Bexheti.
Me ndërtimin e rrugës, arritja nga Tetova në Prizren do të jetë për rreth 30 min nga 3 orë sa është aktualisht. /rtk