24-11-2024

Fillon deklarimi i pasurisë, kallëzim penal për atë që nuk e bënë këtë

Të gjithë zyrtarët publikë, duke filluar nga presidenti, kryeministri, kabinetet e tyre, deputetët, zyrtarë të bordeve të ndryshme në Kosovë e deri te drejtorët e departamenteve nëpër ministri e komuna, prej sot e deri më 31 mars duhet ta deklarojnë pasurinë e tyre konform ligjit për të njëjtën çështje. Drejtori i departamentit për parandalimin e korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Afrim Atashi, tha për Radio Kosovën se Agjencia i ka bërë të gjitha përgatitjet, derisa shtoi se pritet që këtë proces ta kryejnë rreth 5 mijë zyrtarë shtetërorë.

“Është deklarimi me marrjen e detyrës, deklarimi i rregullt vjetor, deklarimi pas largimit nga detyra dhe deklarimi sipas kërkesës së Agjencisë. Të gjithë ata zyrtarë të lartë publikë që e kanë marrë detyrën në janar ose shkurt të këtij viti nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen deklarimit të rregullt vjetor, për shkak se nuk kemi nevojë të bëjmë procedura burokratike dhe të bëjmë formularë pasi që jemi vetëm në një muaj ose dy, dhe ata nuk kanë nevojë ta bëjnë deklarimin e pasurisë”, tha ai.

Sipas Atashit, ata që nuk e deklarojnë pasurinë brenda afatit të paraparë, do t’iu nënshtrohen sanksioneve që i parasheh ligji.

“Me Kodin Penal të Kosovës, të gjithë zyrtarët publikë që nuk e deklarojnë pasurinë në afatin e paraparë ligjor, që është 1 deri më 31 mars, mosdeklarimi është vepër penale deri në 3 vjet burgim ose me gjobë, dhe të gjithë ata që nuk e deklarojnë në këtë afat të paraparë dhe nuk kanë arsyetime pse nuk e kanë bërë këtë deklarim, do t’iu ngritën kallëzime penale në prokuroritë kompetente”, tha

Agjencia Kundër Korrupsion tash e disa vite, muajin mars e ka caktuar si afatin e deklarimit të pasurisë nga të gjithë zyrtarët shtetërorë. Një gjë e tillë parashihet me Ligjin mbi Deklarimin e Pasurisë./rtkllive

Asnjë koment

Comments are closed.