24-11-2024

Fillon intervistimi i gjyqtarëve që kanë kandiduar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Apelit

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të premten ka filluar intervistimi  i gjyqtarëve të cilët kanë kandiduar për ngritje në detyrë në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit.

Më 24 shkurt 2022, KGJK ka shpallur konkursin e brendshëm për tri pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky konkurs është organizuar në bazë të Rregullores nr.01/2014 për Procedurën e Ngritjes në Detyrë të Gjyqtarëve (e ndryshuar dhe plotësuar).

Për këto pozita kanë kandiduar 24 gjyqtarë të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës, mirëpo pas publikimit të listës përfundimtare të kandidatëve që i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar procesit të intervistimit, shtatë prej tyre janë tërhequr nga kjo garë.

Gjyqtarët Pranvera Ademi, Agron Hoxhaj dhe Ali Kutllovci, janë intervistuar të premten nga paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidateve, i përbërë nga kryetari i Gjykatës Supreme/kryetar i panelit, Enver Peci,  zëvendëskryesuesi i KGJK-së/anëtari i panelit, Qerim Ademaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Drita Rexhaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Teuta Ibrahimi dhe gjyqtari i Gjykatës se Apelit/anëtari i panelit, Afrim Shala.

Ndryshe, për këtë pozitë gjatë ditëve në vijim pritet të intervistohen edhe gjyqtarët Binak Duqi, Kadrije Goga-Lubishtani, Shaban Shala, Sabedin Mushica, Skender Çoçaj, Skender Shala, Suzana Çerkini, Valbona Musliu, Violeta Husaj, Violeta Namani, Murat Hulaj, Naime Ahmeti, Naser Foniqi dhe Ramiush Bardiqi.

Ndërsa, gjyqtarët të cilët deri më tani janë tërhequr nga gara janë Atdhe Berisha, Alajdin Tërshnjaku, Adnan Konushefci, Kimete Kicaj, Mentor Hajraj, Mevlide Kosumi-Qarri dhe Saranda Bogaj. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar procesin e intervistimit dhe do të vazhdojë ta monitorojë deri në fazën finale.

Asnjë koment

Comments are closed.