Fillon procesi gjyqësor, çerdhja ‘gyleniste’ e ‘Mehmet Akif’ ka paditur Komunën e Prizrenit
Përfaqësuesit e paditëses avokat Urim Vokshi dhe avokat Leutrim Syla, prezantuan në seancën e sotme qëndrimet e tyre rreth padisë, ndërsa për Komunën e Prizrenit nuk u paraqit askush.
Avokatët e palës paditëse propozuan që shqyrtimi të vazhdojë edhe pa prezencën e përfaqësuesit nga Komuna e Prizrenit.
Avokati Urim Vokshi deklaroi se ”…ngelim në tërësi si pranë padisë për pengim posedim, dhe kërkojmë nga Komuna e Prizrenit, që të mundësohet shfrytëzimi dhe posedimi i papenguar i pronës dhe i objektit, për çka në vitin 2010 është nënshkruar një kontratë ndërmjet palëve për shfrytëzimin e objekti me kohë 20+10 vite”.
Më tutje avokati i propozoi gjykatës provat nga ana e tyre që duhet të administrohen dhe të analizohen për të ardhur deri te vendosja e çështjes.
Gjykatësi i rastit Atdhe Berisha, i aprovoi shumicën e provave të propozuara, pos disa kërkesave që nuk kishin relevancë me çështjen.
Shqyrtimit kryesor u caktua me datë 13 nëntor.
Çerdhja Yllka përmes një komunikate kishte njoftuar se kishin pranuar një aktvendim nga Gjykata Themelore në Prizren për masë mbrojtëse të përkohshme karshi këtij objekti nga Komuna e Prizrenit për mos mbylljen e kësaj çerdhe.
Ky institucion përmes njoftimit kishin deklaruar se besojnë në drejtësinë në Kosovë dhe në këmbënguljen e tyre.
Ndryshe me datë 20 gusht zyrtarë komunal nga Komuna e Prizrenit kishin kërkuar mbylljen e menjëhershme të çerdhes, e cila vepron në kuadër të kolegjit “Mehmet Akif”.
Inspektorati i Komunës së Prizrenit kishin kërkuar që të lirohet objekti i çerdhes dhe shkollës fillore “Yllka” në këtë komunë, e cila vepron në kuadër të Kolegjit “Mehmet Akif”.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skender Susuri për KALLXO.com e kishte konfirmuar se kryetari Mytaher Haskuka dhe Drejtoria e Administratës kanë marrë vendim për lirimin e objektit të kopshtit dhe shkollës “Yllka”.
“Kjo nuk ka të bëjë me Drejtorinë Komunale për Arsim, është një vendim të cilin e ka marrë kryetari i Komunës në konsultim me drejtorin e Administratës. Sepse ajo çerdhe i ka mbi 10 vite që nuk menaxhohet nga Drejtoria Komunale për Arsim. Ata kanë pasur një marrëveshje në vitin 2007 mes Administratës komunale, kryetari të komunës dhe menaxhmentit të çerdhes sepse s’kanë mund me mbulu me buxhet atë dhe ka kaluar në partneritet publiko-privat. Me sa e di unë pastaj ia kanë dhënë Mehmet Akifit. Marrëveshjet mes tyre nuk janë përmbajtur”, tha Susuri./kallxo.com/