25-11-2024

Firmosen marrëveshjet, Kosova dhe Bosnja lëvizin me karta identiteti, Bregu: Ra muri i fundit i vizave në Ballkan

Heqja e vizave mes Bosnjes dhe Kosovës ishte lajmi më i mirë për rajonin para nënshkrimit të tre marrëveshjeve të rendësishme ditën e sotme në Berlin, të cilat do të lehtësojnë edhe më tej jetën e qytetarëve të sghteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është një ditë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnje Hercegovicës pasi shembet muri i fundit i vizave në rajon. Unë e kuptoj që te heqësh vizat me Bosnjen nuk është një lajm aq i madh për qytetarët e Kosovës sa do të ishte heqja e vizave me vendet e BE-së, por është një zhvillim shumë pozitiv pasi neve na duhet të mos ngremë mure, por t’i prishim ato barriera që janë, sepse ky është thelbi i bashkëpunimit.

Qytetarët e Bosnjes dhe Kosovës do të lëvizin vetëm me karta identiteti dhe kjo ka një mesazh të madh politik këtu pasi Bosnja nuk e ka njohur ende Kosovën. Ky është edhe një mesazh për të rinjtë e rajonit, të cilët tashmë do të kenë mundësi të punësohen nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor me procedura tepër më të thjeshta pas nënshkrimit të marrëveshjeve sot. Këto janë hapa që do të bëjnë që ndoshta të rinjtë të mos mendojnë më të largohen nga Ballkani edhe pse Perëndimi është shumë joshes”, tha Bregu.

Liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor firmosën sot në ambientet e Kancelarisë së Gjermanisë në Berlin tre marrëveshje të rendësishme që kanë të bëjnë me njohjen reciproke të diplomave, të letërnjoftimeve si edhe të kualifikimeve profesionale. Në samit morën pjesë Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, shefja e Komisionit Europian, Van der Leyen; Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu si edhe liderët e Shqipërisë; Kosovës; Bosnjes; Malit të Zi; Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut./Abcnews

Asnjë koment

Comments are closed.