24-11-2024

Formimi i institucioneve të reja – si zhvillohet procesi

Të hënën mblidhen deputetët e rinj  Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nga të cilat, lëvizja Vetëvendosje doli fituese dhe do të ketë 58 vende, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 19, Lidhja Demokratike e Kosovës me 15, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8. Dita e hënë shënon edhe fillimin e ngritjes së institucioneve të reja. Por, si zhvillohet ky proces?

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se menjëherë pas konstituimit të parlamentit të ri të vendit, në radhë vjen zgjedhja e presidentit.

“Në kuadër të organeve të pushtetit nuk bën pjesë shefi i shtetit në sistemin çfarë jemi ne, domethënë shefi i shtetit, presidenti i Republikës, nuk është pushtet prandaj edhe figuron menjëherë pas kuvendit, si simbol i unitetit. Mbi bazën e kësaj, e kështu është edhe në të gjitha Kushtetutat e tjera pa përjashtim, është krejt e natyrshme që të procedohet pas kuvendit menjëherë me presidentin”, tha ai.

Arsye tjetër, Hasani thotë se është fakti se ai post ka mbetur bosh së pari, kësisoj presidenti është dashur të zgjidhet në fakt që para zgjedhjeve parlamentare.

“Sepse ai nuk duhet t’u nënshtrohet strukturimeve zgjedhore për shkak se as kohëzgjatja e mandatit dhe as zgjedhja e tij nuk lidhen me procese zgjedhore, pikërisht për faktin se ai merr një mandat nga kuvendi i cili më pastaj shërben si simbol i unitetit duke legjitimuar organet tjera ekzekutive dhe të gjitha organet tjera në mënyrë zinxhirore në bazë të kompetencave që ai ka”, tha Hasani.

Ai thotë se kryetari i ri i parlamentit, që do të zgjidhet të hënën, bëhet automatikisht ushtrues detyre i presidentit. Por këtë mandat nuk mund ta ushtrojë përtej datës gjashtë maj të këtij viti, kur bëhen gjashtë muaj nga dita kur ka dhënë dorëheqjen ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nëse kalon afati gjashtë mujor e shkatërrojmë atë institucion dhe nuk mund të ketë asnjë mënyrë tjetër për legjitimim të organeve tjera. Pastaj në mënyrë zinxhirore delegjitimohen për pasojë edhe organet tjera dhe ne kthehemi në vitin zero”, thotë ai për Voa.
Hasani thotw se mos-suksesi i përfaqësuesve politikë për zgjedhjen e presidentit, përveç se dërgon vendin automatikisht në zgjedhje të reja, do të ishte një gabim i madh dhe i pafalshëm.

“Problemi është që shkohet me automatizëm por megjithatë duhet një dekret formal që i konstaton me efekt deklarativ nga ana e presidentit, ku është presidenti që ta bëjë këtë? Ose ta zëmë pasi të certifikohen zgjedhjet që jipet mandati, ku është presidenti? Prandaj Kushtetuta ka paraparë, në sistemin tonë kushtetues, menjëherë pas kuvendit vjen presidenti”, deklaron ai.

Hasani thotë se përtej kësaj, nuk do të ishte e përshtatshme që me gjithë këtë fitore të thellë të fituesit të zgjedhjeve të sabotohet formimi i institucioneve, siç nuk do të ishte nëse fituesi nuk gjen mënyra për ta kanalizuar atë votë në atë masë që e ka marrë me qëllim të formimit sa më të shpejtë të institucioneve në rrugë kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit mund të shkojë në tri raunde.

“Në dy raundet e para duhet të jenë në sallë të parlamentit të paktën 80 deputetë nga 120 sa janë gjithsej, ndërkaq në raundin e tretë mund të jenë edhe 60 për shkak të një precedenti të mëhershëm që ka krijuar Gjykata Kushtetuese”, thotë Hasani.

Lëvizja Vetëvendosje nuk pret të përballet me vështirësi për formimin e qeverisë, për miratimin e së cilës duhen të paktën 61 vota. Por, sfiduese është zgjedhja e presidentit për shkak të votave që kërkon.

Kjo parti që e ka kandiduar ushtruesen aktuale të detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, për këtë post, takoi përgjatë javës që po e lëmë pas të gjitha partitë politike për të diskutuar mbi formimin e institucioneve të reja, por nuk ka siguruar mbështetje për postin e presidentit.

Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike të veprojnë në mënyrë konstruktive, të punojnë bashkë për interesat e përbashkëta dhe t’i vendosin nevojat e qytetarëve përmbi interesat politike.

Asnjë koment

Comments are closed.