FSK-ja nis misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit
Është mbajtur ceremonia e nisjes së kontingjentit të parë paqeruajtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvajt.
Ushtruesja e detyrë së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se ky kontingjent është i vogël në numër por i madh si mesazh.
Ajo tutje ka shtuar se ky mision nuk do të ishte i mundshëm pa rolin e SHBA-së.
“Misioni juaj është edhe i yni. Siç e kemi dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi. Kushdo që e kërcënon SHBA-në dhe aleatët e tjerë na ka kërcënuar edhe neve. Ky proces pritet të zgjasë tetë vjet. Nuk kam asnjë dyshim që përgatitja e ushtarëve tanë do të jetë konform standardeve të kërkuara. Ju ushtarak do të jeni imazhi, mburrja dhe krenaria jonë”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se kjo forcë përfaqëson edhe diversitetin kulturorë e fetar.
“Ne si politikanë mund të mos pajtohemi për tema të caktuara, por kur bëhet fjalë për ju, ne jemi të gjithë të bashkuar. Kam besim të plotë që ju do ta lartësoni emrin e shtetit tonë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni ka thënë se sot FSK-ja sot do të nis misionin e shenjtë, duke shtuar se kjo ngjarje shënon moment historik për vendin.
Ai ka thënë se ushtria ka arritur të marrë besimin e partnerëve strategjik për të shërbyer përkrahë tyre, shkruan Koha.net. “Besimi i SHBA-së e shton edhe më shumë vlerën e këtij partneriteti”, ka thënë ai.
Shërbimi i FSK-së në mision paqeruajtës në botë po ndodh për herë të parë, e kjo po bëhet përkrah ushtrisë më të madhe në botë. Kuvendi i Kosovës me 92 vota për dhe asnjë votë kundër, miratoi vendimin e 31 dhjetorit 2020 të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Iowas.
Lexo edhe:
https://www.koha.net/arberi/261692/fsk-ja-nis-misionin-e-pare-paqeruajtes-jashte-vendit/