24-11-2024

FSK rekruton edhe kadetë shqiptarë që jetojnë jashtë Kosovës

Kandidatët për kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë në fazën e parë të testimit.
Këtë e ka bërë të ditur komandanti i FSK-së, Rrahman Rama për lajmi.net.

Ai është shprehur se pritet që në fillim të javës së ardhshme të përfundoj faza e parë e testimeve që përfshin testin e inteligjencës dhe testin fizik.

“Janë në fazën e parë. Këto janë dy teste, testi i inteligjencës dhe ai fizik, pastaj është intervista me gojë, pastaj prova mjekësore, por këto dy të parat përfundojnë kah fillimi i javës së ardhshme”, është shprehur Rama.

Gjithashtu, Rama për lajmi.net ka treguar se në maj të këtij viti pritet të filloj kampanja informuese për konkursin e akademisë ushtarake.

Ai gjithashtu ka treguuar se ky konkurs për akademinë ushtarake të Kosovës, do të jetë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Gjermani dhe shtete tjera ku ka shqiptarë.

“Tash e kemi për akademi ushtarake, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Gjermani dhe shtete të tjera ku i kemi vendet tona. Ky konkurs fillon pak më vonë, diku në maj fillon kampanja, në qershor bëhet përzgjedhja që të jetë e gatshme për shtator”, është shprehur Rama.

Në konkursin e Ministrisë së Mbrojtjes për kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë aplikuar mbi 6000 të rinjë, prej tyre vetëm 650 do të kenë rastin të veshin uniformën e ushtrisë së Kosovës.

E në këtë konkurs, i ultë ishte interesimi i komuniteteve pakicë për të shërbyer në ushtrinë e Kosovës, vetëm 174 persona nga mbi 6000 sa kanë konkurruar gjithsej, ishin nga komunitetet pakicë, ndër ta edhe serbë.

Forca e Sigurisë së Kosovës në fund të vitit që e lamë pas është shndërruar në ushtri të Kosovës dhe kjo parasheh edhe rritjen e numrit të pjesëtarëve. /Lajmi.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.