Ftohen mbi 100 zyrtarë për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren
Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka nisur zbatimin e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votës dhe falsifikim të dokumenteve zgjedhore në procesin zgjedhor për deputetë.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar pak ditë më parë.

Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

Sipas prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.
Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.
Lexo edhe:
Skandali i votave në Prizren: Totaj “bombardohet” me kërkesa për shkarkime
